Drejtësia

Berisha, me akuza të reja ndaj gjyqtares Irena Gjoka: Policia greke e dëboi si falsifikatore vizash

Gazeta Si – Sali Berisha, pasi zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj tij për aferën “Partizani”, publikoi edhe një dokument, që sipas tij vërteton se policia greke e ka përzënë Irena Gjokën nga territori i shtetit grek si falsifikatore vizash.

“Tani do t’u njoh me dokumente të reja. Avokati i Irena Gjokës, Altin Troplini, që e mban me çdo kusht këtë delinkuente, këtë kriminele në drejtësi, imagjinoni ju dosjen e ish-presidentit të Republikës, e ish-kryeministrit, e ish-kryetarit të Parlamentit, e gjykon një delinkuente, një falsifikatore, një mashtruese që mbahet në detyrë nga i ngjashmi me të, nga si vëllau i saj, Altin Troplini, – tha Berisha para mediave. – Kam sjellë këtu dokumente që dëshmojnë se çfarë përfaqëson Irena me 5 mbiemra dhe që Troplini, për ta mbrojtur, i ka hapur dosje penale pa emër. Ky llum ligjor, ky llum njerëzor, shkelmon mbi ligje, mbi fakte, mbi prova, vetëm e vetëm për qëllimet e tij politike. Për të zgjatur jetën e Edi Ramës në pushtet dhe pushtetin e tij. Tani unë kam sjellë këtu certifikatën e datës 24.11.2002, me të cilën policia greke vërteton se e ka përzënë Irena Gjokën nga territori i shtetit grek si falsifikatore vizash. Pra, Irena Gjoka është futur në Greqi duke falsifikuar vizën. Këtu e keni greqisht dhe shqip”, theksoi Berisha.

Duke iu kthyer sulmeve ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, Berisha u shpreh: “Këtu takova Altin Troplinin i cili po pinte një kafe me McGonigal. Ai po e përgëzonte, po i jepte çmimin e armikut të egër të pluralizmit politik. Në duar McGonigal kishte dosjen e Aruba-s që e urdhëronte ta fshihte paturpësisht, siç e ke fshehur gjithë këto vite”.

Ai nuk kurseu as ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu, e cila u lirua nga qelia për arsye shëndetësore, më 19 shtator.

“Pajtime Dumani, e nxorri se tha e sëmurë. Ajo mund të jetë e sëmurë, por ju garantoj se30% e të burgosurve janë të sëmurë”.

I pyetur lidhur me zgjedhjet e pjesshme në kryeqytet, që do të mbahen më 9 nëntor 2025, Berisha deklaroi se Partia Demokratike ka deri në 13 kandidatë për bashkinë e Tiranës.

“Do ketë kandidatin më të dashur që ka pasur ndonjëherë”, përfundoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë