Motosport

Russell triumfoi në Singapor ndërsa McLaren fitoi titullin e 10 për konstruktorët

Nga Gazeta Si – George Russell realizoi një fitore dominuese në Çmimin e Madh të Singaporit ku piloti i Mercedes e shndërroi “pole position”-in në një triumf përpara Max Verstappen dhe Lando Norris, ndërsa McLaren siguroi pikët e mjaftueshme për të fituar matematikisht titullin e Konstruktorëve për vitin 2025.

Britaniku Russell u shkëput në start duke i lënë kunërshtarë në incidente të lehta – Norris preku pjesën e pasme të Red Bull-it të Verstappen dhe pati kontakt me Oscar Piastri, përpara se ta kalonte atë pas një dueli të ngushtë.

Ndërsa Piastri shprehu pakënaqësinë për incidentin, Russell vazhdoi i qetë me një performancë të pakundërshtueshme, duke mos e vënë kurrë në dyshim fitoren e dytë të sezonit dhe të pestën në karrierë.

Verstappen garoi për vendin e dytë me rivalin Norris që e ndoqi nga afër në xhirot e fundit, por piloti i Red Bull-it ia doli të mbronte pozicionin.

Norris u detyrua të kënaqej me vendin e 3, ndërsa Piastri mbërriti pas tij në vendin e 4 – pozicione që i mjaftuan McLaren-it për të siguruar titullin e dytë radhazi të konstruktorëve si dhe të 10 në histori.

Pas një gare shumë të forte, Kimi Antonelli u rendit në vendin e 5, duke shtuar pikë të vlefshme për Mercedes-in, ndërsa Charles Leclerc u rendit pas tij i ndjekur nga 7 herë kampioni, Lewis Hamilton.

Por një penalitet prej 5 sekondash për dalje nga pista e zbriti britanikun e Ferrari-t në vendin e 8.

Fernando Alonso, i cili mbërriti pak pas Hamilton-it në vijën e finishit, u ngjit në vendin e shtatë pas penalizimit të britanikut.

Ollie Bearman siguroi dy pikë të vlefshme për Haas me vendin e 9, ndërsa Carlos Sainz u rikthye në zonën e pikëve, duke mbyllur “Top 10”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë