Nga Gazeta ‘Si’- Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga avokatët mbrojtës të ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ku kërkohej lirimi nga paraburgimi.
Veliaj kërkoi shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest me burg” duke paraqitur edhe një memo, ku i bëhej me dije Gjykatës së Lartë se ai nuk është më kryebashkiak i Tiranës.
Duke cituar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Veliajt, avokatët i kërkuan Gjykatës së Lartë të marrë në konsideratë faktin se në këto kushte ai nuk mund të ndikojë mbi dëshmitarët dhe vendosë në rrezik asnjë provë.
Sipas prokurorisë, duke qenë se Veliaj ka qenë zyrtar i lartë, ekziston rreziku që ai të ndikojë ose të intimidonte dëshmitarët.
Prandaj, Gjykata e Lartë vendosi që ish-kryebashkiaku të qëndrojë në burg deri në përfundimin e procedurave të mëtejshme.
Veliaj u shkarkua nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës më 25 shtator, me vendim të Këshillit të Ministrave me argumentin se nuk ishte paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj, që nga arrestimi më 10 shkurt. Por, Veliaj depozitoi ankimin në Kushtetuese, kërkesë e cila pezullon shkarkimin e tij.
Pavarësisht kësaj, presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, me argumentin se shkarkimi i Veliajt me motivacionin ‘mosparaqitje në detyrë’ duhet të trajtohet nga Gjykata Administrative dhe jo nga Gjykata Kushtetuese.
Të pandehur për këtë dosje, përveç Veliajt e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, janë edhe 28 persona dhe shoqëri biznesi.
Veliaj akuzohet nga SPAK për 5 vepra penale, korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre, si dhe futje e sendeve të ndaluara në qeli. Sipas hetimeve, SPAK thotë se në të paktën 9 raste Erion Veliaj, ka kryer akte korrupsioni pasiv.
SPAK dyshon se në këmbim të përfitimeve të parregullta në para dhe pasuri të paluajtshme, Veliaj ka dhënë leje ndërtimi apo fonde publike nga Bashkia e Tiranës. Seanca paraprake me vendim të Gjykatës së Posaçme do të mbahet për në datën 10 tetor në orën 09:00.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



