Arsim

Rënie e interesit për degët mjekësore, Alimehmeti: Duhet të reflektojmë

Nga Gazeta Si- Pavarësisht se dega e Mjekësisë së përgjithshme ka plotësuar kuotat që në raundin e parë të regjistrimeve, duke dëshmuar sërish statusin elitar që ruan kjo degë në preferencat e studentëve shqiptarë, interesi për degët mjekësore në tërësi ka rënë ndjeshëm.

Pedagogu i Fakultetit të Mjekësisë, Ilir Alimehmeti, deklaron për Gazetasi.al se në vitin 2025 janë regjistruar vetëm 1,813 aplikime për degët mjekësore në raundin e parë, krahasuar me 3,183 aplikime në vitin 2024, një rënie prej gati 40%.

“Kjo është një shifër që na bën të reflektojmë. Ka një kontrast mes perceptimit se mjekësia është një fushë e garantuar dhe realitetit që tregon një interes gjithnjë e më të vogël nga brezi i ri,” u shpreh Alimehmeti.

Kuotat e lira dhe sfida për universitetet

Ndërsa Universiteti i Mjekësisë dhe degë të tjera elitare si Arkitektura në Universitetin e Tiranës kanë përfunduar regjistrimet pa kuota të lira, situata në universitetet e tjera është më problematike. Në total, në të gjitha universitetet publike llogariten rreth 370 kuota të paplotësuara, që përbëjnë afërsisht 5% të totalit.

Shumë ekspertë të arsimit paralajmërojnë se rënia e interesit për arsimin e lartë, veçanërisht për degët teknike dhe mjekësore, mund të sjellë pasoja afatgjata për tregun e punës dhe sistemin shëndetësor në vend.

Arsyet e kësaj rënieje janë të shumta. Emigracioni, pasiguritë ekonomike, mungesa e perspektivës profesionale në Shqipëri dhe kostot e larta të studimeve, sidomos në degë si Mjekësia, janë ndër faktorët më të përmendur nga vetë maturantët dhe ekspertët.

Megjithëse Mjekësia e Përgjithshme mbetet ende një ndër degët më të lakmuara, rënia drastike e aplikimeve për degët mjekësore tregon për një ndryshim të ndjeshëm të orientimit të të rinjve shqiptarë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Rrjeti Akademik Shqiptar, në raundin e parë janë regjistruar rreth 80% e maturantëve që aplikuan për ndjekjen e studimeve të larta, një përqindje që reflekton përgjithësisht ulje të interesit krahasuar me vitet e kaluara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë