Gazeta Si – Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar masë disiplinore ndaj Shkëlzen Liçajt, gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Sarandë, pas hetimit të nisur për shkelje të rënda në përmbushjen e detyrimeve funksionale.
Ndaj Liçajt, është kërkuar vendosja e masës disiplinore “ulje e përkohshme e pagës deri në 40%, deri në një vit”.
Sipas kërkesës për procedim disiplinor, bëhet me dije se ajo bazohet në 13 ankesa të depozituara ndaj gjyqtarit, për vonesa të përsëritura në zbardhjen e vendimeve gjyqësore në periudhën 2021–2023, përtej afateve ligjore, në disa raste deri në katër vite.
Sipas raportit të Inspektoratit, mosrespektimi i afateve nuk ishte episod i izoluar, por një model i përsëritur.
“Nga ana e magjistratit janë ndërmarrë veprime/mosveprime në shkelje të afateve procedurale civile dhe penale të arsyetimit të vendimit gjyqësor, duke tejkaluar afatet tej çdo logjike, ku mosrespektimi i afateve ligjore nuk paraqitet si episod i izoluar, por si model i përsëritur në tri vite radhazi dhe në përmasa jashtë çdo standardi ligjor dhe profesional të afateve të vonesës. Zvarritja sistematike dhe e përsëritur përtej këtyre afateve, përbën tregues të qartë të mosrespektimit të përgjegjësive funksionale.”, thuhet në kërkesë, ku më tej sipas ILD-së
Mungesa e arsyetimeve në kohë ka penguar palët të ushtrojnë të drejtën e ankimit dhe ka vonuar ekzekutimin e vendimeve: “Shkelja disiplinore ka sjellë mos marrje në kohë të produktit të pritshëm nga gjykimi i një çështjeje të caktuar, vonesa në ushtrimin e të drejtës së ankimit apo edhe vonesa të theksuara në ekzekutimin e vendimit gjyqësor, si pasojë e mos arsyetimit në kohë të vendimeve, pra një drejtësi e mohuar. Sjellja e magjistratit pas kryerjes së shkeljes, pas fillimit të hetimit dhe gjatë procedimit hetimit/procedimit disiplinor ka qenë bashkëpunuese”.
Pavarësisht bashkëpunimit të gjyqtarit gjatë hetimit, ILD vlerëson se veprimet dhe mosveprimet e tij përbëjnë “shkelje të rëndë disiplinore”, duke propozuar ndaj tij një ndëshkim financiar në përputhje me ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vendimi final do të merret nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



