Arsim

Balluku: Praktika të paguara për studentët, aviacioni bëhet pjesë e kurrikulës universitare

Nga Gazeta Si- Me marrëveshjen e firmosur midis qeverisë dhe Universitetit Politeknik të Tiranës, studentët do të përgatiten për tregun e punës përmes praktikave të paguara të punës, me qëllim aftësimin e tyre.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij, u shpreh se këto praktika pune janë një mundësi për të ndihmuar studentët në rritjen e vizionit jashtë programit studimor.

Rama gjithashtu iu bëri thirrje pedagogëve dhe studentëve që të angazhohen sa më shumë në funksion të rritjes së komponentit të Inteligjencës Artificiale, dhe për ta integruar në të gjitha hapësirat e Universiteteve të vendit.

“Në çdo universitet duhet të krijojmë sa më parë hapësirat për t’i dhënë mundësi pedagogëve dhe studentëve që të aktivizojnë talentet dhe dijet e tyre, kuriozitetin e tyre intelektual për AI, është e domosdoshme dhe e mundur. Ajo çka e bën ekzaltuese AI është se ka pak rëndësi se në cilën pikë të globit ndodhesh dhe në cilin rresht të klasifikimit të vendeve ndodhet vendi ku ti jeton pasi përmes AI mund të bëhen kapërcime epokale që do të ishin krejtësisht të pamundura pavarësisht talenteve, vullnetit dhe ambicieve”, tha Rama, duke shtuar se AI do ta kenë në vëmendje edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm.

Më tej, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku njoftoi edhe përfshirjen e aviacionit dhe navigimit në një kurrikul të përhershme universitare, duke e konsideruar këtë si një hap drejt përafrimit të arsimit me zhvillimet teknologjike.

“Do të diskutojmë si ta kthejmë aviacionin dhe navigimin në një kurrikul permanente të universitetit”, tha Balluku.

Ministrja vuri theksin edhe te rëndësia e inovacionit, si pjesë e domosdoshme në çdo fushë të zhvillimit, por theksoi se nuk mund të zëvendësojë kapitalin njerëzor.

“Inovacioni duhet të jetë prezent, por ai nuk zëvendëson në asnjë rast kapitalin njerëzor”, u shpreh Balluku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë