Drejtësia

SPAK merr të pandehur drejtuesen e komanduar të Bashkisë së Tropojës

Gazeta Si – SPAK ka marrë të pandehur për korrupsion Zyra Islamajn, e cila zëvendësoi përkohësisht Rexhë Byberin në krye të Bashkisë së Tropojës.

Sipas njoftimit, ndaj saj është ngritur akuzë zyrtare për korrupsion aktiv dhe pasiv lidhur me tenderin e ndërtimit të një ure në fshatin Luzhë.

Islamaj dyshohet se e ndërtoi urën për interesa personale me qëllim shërbimin e familjes së motrës së saj. Edhe tenderi për ndërtimin e urës u fitua nga kunati i saj, Rrok Gega.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK-ut, Islamaj, është përpjekur të ndërhyjë tek Gega, ndërtues, për ngritjen e një ure mbi përroin që kalon pranë shtëpisë së motrës së saj. Po kështu, ajo ka planifikuar të angazhonte teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve për të ndihmuar ndërtuesin.

Gega, ka pohuar se ngritja e kësaj ure, nuk ka qenë në procedurat e tenderimit, e do të ishte një dhuratë ndaj kryebashkiakes së Tropojës.

Rasti u denoncua nga Agim Demiraj, i cili më herët kishte shërbyer në detyrën e Teknikut të Mirëmbajtjes së Rrugëve në Bashkinë Tropojë.

Demiraj ishte larguar nga puna pasi nuk kishte pranuar të bashkëpunonte me kryebashkiaken e përkohshme për të ndërtuar urën që do t’i shërbente familjes së motrës së saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë