Drejtësia

Asim Vokshi zgjidhet si zëvendësuesi i Holta Zaçajt në Gjykatën Kushtetuese

Gazeta Si – Asim Vokshi është anëtari më i ri i Gjykatës Kushtetuese duke plotësuar kështu vakancën e lënë nga ish-kryetarja Holta Zaçaj, të cilës i përfundoi mandati zyrtarisht në mars të këtij viti.

Vokshi mori vlerësimin më të lartë mes 6 kandidatëve në garë për të qenë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Mes kandidatëve të treshes “finaliste” ishin edhe Naureda Llagami, ish-kryetare e KLGJ dhe Florian Ballhysa, ish-komisioner publik tek vettingu.

Nga votimi i kryer për përzgjedhjen e anëtarit, kandidati Asim Vokshi mori 6 vota, Naureda Llagami 8 vota, ndërsa Florian Ballhysa asnjë votë.

Kështu, Asim Vokshi do të përfundojë vetëm mandatin e mbetur të Holta Zaçajt, ndërsa procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese do të nisin menjëherë pas këtij emërimi.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese vendosi në dhjetor të vitit të kaluar mbarimin e mandatit të kryetares Zaçaj. Ky vendim i dha fund ngërçit ligjor mes këtij institucioni dhe Gjykatës së Lartë, e cila kishte hapur garën për zëvendësimin e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë