Drejtësia

Shtyhet seanca në GJKKO ndaj Veliajt, shkak mungesa e njoftimit të të pandehurve

Gazeta Si – Është shtyrë seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për ish-kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, e cila ishte parashikuar të zhvillohej mesditën e kësaj të hëne.

Seanca, ku togat e zeza do të vendosin për kalimin apo jo për gjykim të dosjes, është vendosur të zhvillohet më datë 10 tetor

Shkak për këtë shtyrje është bërë mos njoftimi i palëve sipas procedurës së kërkuar nga ligji. Në dalje të godinës së GJKKO, të pandehurit mes të cilëve disa biznesmenë dhe ish-deputetja Klotilda Bushka, nuk folën për mediat.

Dosja ndaj ish-kryebashkiakut, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa dhe të pandehurve të tjerë, është dërguar për gjykim më 10 shtator.

Ish-kryebashkiaku Veliaj përballet me pesë akuza të rënda: “korrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli”.

Sipas SPAK, ai dyshohet për 9 raste korrupsioni në marrëdhënie me kompani që kanë përfituar leje ndërtimi apo fonde publike nga Bashkia e Tiranës, në këmbim të përfitimeve të paligjshme.

Në të njëjtat akuza është përfshirë edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e cila dyshohet për lidhje me subjekte private dhe organizata jofitimprurëse. Ajo akuzohet gjithashtu për mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.

Për gjykim janë dërguar edhe 16 persona të tjerë, biznesmenë dhe të afërm të çiftit Veliaj-Xoxa. Mes tyre edhe ish-deputetja socialiste, Klotilda Bushka.

Po ashtu mes tyre është edhe një gardian në burgun e Durrësit, i cili akuzohet se i ka dhënë Veliajt një telefon celular gjatë shoqërimit në gjykatë.

Ndërkohë, Veliaj ka kërkuar lirimin nga qelia nëpërmjet një rekursi në Gjykatën e Lartë. Seanca për shqyrtimin e kërkesës është caktuar për 2 tetor, me relatore gjyqtaren Albana Boksi.

Veliaj u shkarkua nga detura e kryebashkiakut më 25 shtator, me vendim të Këshillit të Ministrave, pasi nuk ishte paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj pas arrestimit të tij më 10 shkurt, por këtë të hënë ai ka ankimuar vendimin e qeverisë në Gjykatën Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë