Drejtësia

Vrasja e dy vëllezërve në Roskovec, shkon në gjyq dosja ndaj 7 personave

Gazeta Si – Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të 7 personave, të cilët akuzohen për vrasjen e 2 vëllezërve Gramoz dhe Lavdimir Kurtaj në shtator 2024 në Roskovec të Fierit.

Në përfundim të hetimeve, prokuroria pretendon se është provuar se të pandehurit Altin Kuka dhe djemtë e tij, Ervis Kuka dhe Emaurisio Kuka, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë vrarë dy vëllezërit.

Pak para se të ndodhte ngjarja, Er.K., ka pasur një konflikt fizik me djemtë e Gramoz Kurtajt dhe ka qëlluar me pistoletë në drejtim të tyre. Ndërsa pas komunikimit me telefon, ai u ka rrëfyer ngjarjen djemve të tij.

Sipas hetimeve, me automatik luftarak, i pandehuri Altin Kuka ka hapur zjarr drejt viktimave. Arma iu sigurua nga djemtë e tij, Ervis Kuka dhe Emaurisio Kuka, i cili ka nxitur të atin të qëllojë drejt Gramoz dhe Lavdimir Kurtajt duke i lënë të vdekur.

“Armën e zjarrit, automatik luftarak i modelit 56, me të cilën i pandehuri A.K. ka qëlluar viktimat G.K. dhe L.K., i pandehuri Er.K. i ka lënë në kasollen përbri pularisë me qëllim për t’i marrë në vijim i pandehuri Em.K. Ky i fundit, pasi ka marrë armën e zjarrit, automatik luftarak, ka shkuar në vendin ku ndodheshin viktimat, ka frenuar menjëherë para lokalit të tyre, ka marrë armën dhe ka mbushur karikatorin e saj, duke nxitur të pandehurin A.K. të qëllojë me breshëri drejt tyre. I pandehuri A.K. ka shtënë ndaj viktimave G.K. dhe L.K. me armën e zjarrit automatik luftarak, të cilën ia mori nga dora të pandehurit Em.K.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Përveç tre autorëve të dyshuar të vrasjes, Prokuroria ka marrë të pandehur edhe katër persona të tjerë për vepra penale të lidhura me ngjarjen: T.Z., për “Përkrahje të autorit të krimit“; Y.K., për “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve” si dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve sportive dhe të gjuetisë”; R.H. dhe E.H., të dy për “Moskallëzim krimi“.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë