Gazeta Si – Seanca paraprake për dosjen hetimore në ngarkim të Ilir Metës dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, është shtyrë për në datën 9 tetor për shkak të mungesës së avokatit të ish-presidentit, Kujtim Cakranit, i cili kishte probleme shëndetësore.
Në dalje të godinës së GJKKO, ish-deputetja Monika Kryemadhi pretendoi se nuk kishte asnjë provë konkrete që implikon atë apo Metën në ndonjë veprimtari të paligjshme.
Sipas saj, dëshmitarët janë intimiduar nga prokurorët e posaçëm me qëllim që të fabrikoheshin prova kundrejt saj dhe Metës.
“Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta akuzohen për korrupsion pasiv, ndërsa nuk ka asnjë të akuzuar për korrupsion aktiv. Kur nuk ka korrupsion aktiv, si ka korrupsion pasiv? Sipas Altin Dumanit, Fatime Kryemadhit i fillon jeta në 2001-in në Tiranë. Kjo nuk do të thotë se qytetarëve që jetojnë në Tiranë u ka filluar jeta kur Dumani ka ardhur në Tiranë. Lë shumë për të dëshiruar mënyra dhe metodologjia e përdorur për hetimin, – tha ajo për mediat. – SPAK ka qenë shumë i zënë me intimidimin apo edhe kërcënimin e dëshmitarëve. Në dëshmitë që kam lexuar, përveçse kanë përballuar presionin dhe intimidimin kanë thënë të vërtetën, por dua t’ju bëj një pyetje: ku ndryshon një kriminel që i vendos pistoletën në kokë një biznesmeni, apo një prokurori nga një institucion si ky këtu që është mbrapa që kërcënon dhe intimidon një qytetar i cili nuk pranon të thotë atë që ka dëshirë të thotë prokurori në dosje”,- tha Kryemadhi.
Mes të tjerash, ajo ngriti pyetjen sesa është sasia e drogës që është kapur në portin e Durrësit që prej ditës kur Altin Dumani u bë kryeprokuror i SPAK.
Sipas saj, SPAK ka amnistuar grupin e Durrësit duke mbajtur në sirtar urdhër arrestet e antimafies italiane, të cilat i zbatoi pas përfundimit të zgjedhjeve.
Dosja në fjalë do të shqyrtohet nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila ka në dorë të vendosë nëse do ta kalojë çështjen për gjykim, do ta kthejë në SPAK për hetime të mëtejshme ose do të pushojë hetimet.
Kujtojmë se më 19 shtator, Gjykata e Posaçme vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Metën, i cili kishte kërkuar të lirohej nga qelia.
Ndërkohë, më 29 gusht, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet dhe çoi për gjykim dosjen Meta-Kryemadhi.
Ndaj tyre rëndojnë nga tre akuza: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim i pasurisë.
Sipas SPAK, pas hetimeve të kryera janë zbuluar disa skema korrupsioni dhe përdorimi të pushtetit politik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



