Nga Gazeta ‘Si’- Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur kryebashkiakun e Kolonjës, Erion Isai.
Burime bëjnë me dije se Isai është marrë i pandehur për “shkeljes së barazisë në tendera dhe ankande publike”.
Dyshohet se akuzat lidhen me hetimet e kryera mbi rrugën Korçë-Ersekë, e cila u shemb pas pak kohësh nga ndërtimi, si dhe mbi një tender për ujësjellësin.
Gjithnjë sipas burimeve, nuk janë respektuar udhëzimet e autoritetit kontraktues dhe po ashtu, cilësia e punimeve ka qenë e dobët.
Edhe përcaktimi i kompanisë, e cila do të shpallej fituese për ndërtimin e pjesës që i takonte Bashkisë së Kolonjës, sipas dyshimeve të akuzës deri në këtë moment, rezulton të ketë qenë i paracaktuar nga ana e kryetarit të Bashkisë së Kolonjës, së bashku me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave
Isai ka qenë subjekt i një auditimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në vitin 2023, dhe është thirrur në tetor të vitit të kaluar në SPAK, ku ka dëshmuar për rreth një orë para prokurorëve.
I pyetur nga gazetarët e pranishëm se për çfarë ishte thirrur në SPAK, Isai teksa kalonte derën u përgjigj: “Kur të dal, s’e di”.
Pasi doli nga SPAK, Isai tha se para prokurorëve dha sqarime shtesë në lidhje me çështjen që po hetohet për vitin 2023.
Gjithnjë sipas burimeve, përveç tij, nën hetim dhe të marrë të pandehur janë edhe 6 zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Kolonjës, të cilët akuzohen për të njëjtat shkelje lidhur me procedurat e prokurimit publik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



