Motosport

‘MotoGP’ zbarkon në Japoni

Nga Gazeta Si – Më shumë se 2100 ditë pasi u shpall për herë të fundit Kampion Bote në “MotoGP”, Marc Márquez (Ducati Lenovo Team) është shumë pranë rikthimit në fron.

Që prej asaj dite në vitin 2019, kur festoi titullin e tij të 6, ai ka kaluar disa operacione, tre dëmtime të ndryshme, dy ndryshime ekipi dhe një ndryshim konstruktori.

Për shumëkënd, pyetja nuk ishte kur do të kthehej në majë, por nëse do ta arrinte ndonjëherë.

Teksa i afrohemi “Motul Grand Prix of Japan 2025”, përgjigjet kanë qenë të qarta: Márquez është në prag të rikthimit më të madh në historinë e sportit.

Me një epërsi prej 185 pikësh, titulli i këtij sezoni tashmë duket vetëm një formalitet.

Piloti që mund t’i mohojë kurorën Marc Márquez është i vëllai, Alex Márquez.

Ai është i vetmi pilot tjetër që ka fituar më shumë se një “Grand Prix” këtë vit dhe po kalon sezonin më të mirë të karrierës së tij.

Duke siguruar edhe një motorr zyrtar te “BK8 Gresini Racing MotoGP” për vitin 2026.

Alex gjithashtu ka kujtime të mira nga Motegi, pasi në Japoni fitoi garën e tij të parë në vitin 2013, edhe pse në “MotoGP” nuk ka qenë aq me fat.

Përveç se është rivali i fundit për titullin botëror, ai synon edhe kurorën e pilotit më të mirë të ekipeve private.

“MotoGP” është në prag të një faqeje të artë historie, teksa Marc Márquez synon titullin e 7 botëror.

Një moment historik që shkon përtej sportit – ndaj sytë do të jenë nga “Motul Grand Prix of Japan”, për të parë nëse #93 do të rikthehet në majën e Botës plot 2184 ditë më vonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë