Drejtësia

U ekstradua nga Dubai për vrasjen e Gjin Boriçit, Apeli i Posaçëm lë në burg Denis Brajoviç

Gazeta Si – Apeli i Posaçëm la në fuqi vendimin e GJKKO-së për masën e sigurisë “arrest në burg” për Denis Brajoviç, i cili u ekstradua në muajin korrik të këtij viti nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt vendit tonë për llogari të SPAK.

Brajoviq akuzohet se vrau Gjin Ndoj (Boriçi) ngjarje e ndodhur në muajin gusht të vitit 2020 në Vaun e Dejës. Denis Brajoviç ishte shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të dosjes “‘Metamorfoza”.

Në 23 korrik 2025, 37-vjeçari mbërriti në Rinas nëpërmjet një fluturimi tranzit nga Stambolli dhe u shoqërua menjëherë drejt paraburgimit në “313” nën masa të rrepta sigurie nga forcat speciale dhe Drejtoria e Burgjeve.

Brajoviç ishte arrestuar në Dubai në fillim të vitit të kaluar. Ndaj tij rëndojnë akuza të rënda, kryesisht për krime kundër personit, të kryera si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, si dhe për armëmbajtje pa leje.

Ai dyshohet si autor i vrasjes së mikut të tij, Gjin Boriçit (i njohur edhe si Gjin Ndoj), i cili u ekzekutua me breshëri kallashnikovi më 10 gusht 2020 në Vau Dejës, pranë automjetit që kishte marrë me qira.

Ngjarja u zbardh nga përgjimet në kuadër të dosjes “Metamorfoza”, në aplikacionet Sky ECC dhe EncroChat.

Sipas hetimeve të SPAK, pas porosisë për këtë vrasje fshihet emri i shumëkërkuarit Ervis Martinaj, i cili dyshohet se kontraktoi Behar Bajrin për organizimin e ekzekutimit, ndërsa detyra iu besua Denis Bajrit. Madje, për të shmangur dyshimet, Bajri mësohet të ketë marrë pjesë edhe në varrimin e viktimës.

Sipas hetuesve, në këmbim të vrasjes së Gjin Boriçit, Martinaj do të kryente një tjetër vrasje – atë të Kleant Musabelliut, për llogari të biznesmenit Pëllumb Gjoka, për shkak të një konflikti të mëparshëm mes tyre në vitin 2017.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë