Gazeta Si – Ish-gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu është liruar nga burgu. Gjykata e Posaçme ka ndryshuar masën e sigurisë në “arrest shtëpie” për Fetahun, e cila njihet si ish-gjyqtarja që vuri Gjykatën e Elbasanit në shërbim të grupeve kriminale të drejtuara nga vëllezërit Franc e Hajdar Çopja dhe i shumëkërkuari i drejtësisë, Suel Çela.
Ka qenë gjyqtari i posaçëm Erjon Çela, ai i cili ka marrë vendimin për lirimin e Fetahut, ndërkohë që një ditë më parë, Gjykata e Lartë kishte rrëzuar kërkesën e ish-gjyqtares për ndryshimin e masës së sigurisë.
Fetahu tashmë do të qëndrojë nën “arrest shtëpie”, ndërsa hetohet në lidhje me përfshirjen e saj në dosjet kriminale të klanit “Çopja” dhe të shumëkërkuarit Suel Çela.
Ajo akuzohet për korrupsion dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, ndërsa ndodhej në paraburgim prej nëntorit 2024.
Ajo ka bërë ankimin disa herë në Gjykatën e Posaçme të Apelit për ndryshim të masës së sigurisë, me argumentin se masa e sigurisë “arrest në burg” caktuar ndaj saj kishte humbur fuqinë, sa kohë SPAK nuk e kishte çuar çështjen ndaj saj në gjyq brenda gjashtë muajve. Një tjetër arsye që parashtronte lidhej me problemet shëndetësore.
Fetahu dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë më 16 nëntor 2022, pak ditë përpara se të përballej me procesin e vetingut.
Sipas hetimeve të SPAK, Fetahu ka marrë mijëra euro ryshfet nga vëllezërit Çopja për të marrë vendime në favor të tyre.
Ndërsa në dosjen e SPAK për operacionin “Plumbi i Artë 2″, shfaqen komunikimet e ish-gjyqtares me Suel Çelën, i cili i diktonte vendimet që duhet të merrte pro tij dhe kundër armiqve të tij në seancat gjyqësore në këmbim të shumave monetare dhe dhuratave të ndryshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



