Gazeta Si – Në takimin e institucioneve të drejtësisë për pavarësinë dhe llogaridhënien, Altin Dumani, theksoi se SPAK është i angazhuar në luftën kundër korrupsionit.
Fjalën e tij e nisi duke theksuar se Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion është plotësisht e angazhuar dhe e pavarur në ushtrimin e kompetencave të saj, në përputhje të plotë me Kushtetutën.
“Në kohën kur besimi te drejtësia është i brishtë dhe pritshmëritë janë të larta, veprimet e SPAK janë mbështetur në ligj dhe parime. SPAK është zotuar për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duke rritur kështu besimin. Pavarësia dhe llogaridhënia janë shtyllat kryesore ku mbështetet SPAK. Kushtetuta garanton pavarësinë e jashtme dhe të brendshme të SPAK. Prokurorët veprojnë dhe marrin vendime të pavarura të paanshm”.
Dumani Vuri theksin te bashkëpunimi i ngushtë institucional me ILD-në, që nga inspektimet tematike e deri te verifikimet e ankesave të ndryshme të qytetarëve apo subjekteve.
“Sistemi i administrimit të çështjeve tanimë është funksional dhe shpresojmë që deri në fund të vitit të jetë 100% funksional”, deklaroi Dumani.
Megjithatë, ai ripërsëriti problematikat që ekzistojnë prej mungesës së burimeve njerëzore dhe infrastrukturës.
“Arkitektura e shumëfishtë e kontrollit është e rëndësishme për të garantuar pavarësinë e institucioneve dhe atë të llogaridhënies. Kodet etike janë mure mbrojtëse ndaj çdo presioni dhe ndikim politik apo mediatik. SPAK përballet dhe me sfida, ngarkesë proceduriale, mungesa e stafit dhe infrastrukturës”, tha kreu i Strukturës së Posaçme.
“Për të përmbushur misionin, duhet të tregojmë rezultate dhe integritet në zbatimin e ligjit”, përfundoi Dumani.

Edhe kryetari i Gjykatës së Posaçme AntiKorrupsion (GJKKO), Erjon Bani, nënvizoi se pavarësia dhe llogaridhënia janë themelet e një sistemi të drejtë gjyqësor.
“Besimi i publikut ndërtohet vetëm përmes transparencës, punës së palodhur dhe rezultateve konkrete“, deklaroi Bani.
Po ashtu ai theksoi se Reforma në Drejtësi ka sjellë përmirësime të ndjeshme në fuqizimin e pavarësisë gjyqësore, veçanërisht në nivelet më të larta të sistemit.
“Pavarësia gjyqësore është forcuar ndjeshëm nga Reforma në Drejtësi. Në GJKKO, ne e ndjejmë peshën e kësaj pavarësie për të gjykuar drejt. Pavarësia nuk është privilegj personal, por kusht. Ne jemi të vendosur ta ruajmë dhe mbrojmë pavarësinë tonë, sepse vetëm kështu mund të garantojmë barazi para ligjit”, tha Bani.
Gjatë këtyre viteve, tha Bani, GJKKO ka pasur në dorë çështje me impakt të lartë publik, përfshirë gjykimin e zyrtarëve të lartë dhe grupeve të krimit të organizuar. Kjo, sipas tij, e bën akoma më të rëndësishme ruajtjen e pavarësisë institucionale dhe ndarjen e qartë nga çdo ndikim i jashtëm.
“Transparenca. Si trupë gjyqësore, jemi të vetëdijshëm se besueshmëria e gjykatës është kryesore. Ndaj, ne publikojmë çdo vendim përfundimtar në faqen e gjykatës. Çdokush mund të njihet me vendimet tona. Po ashtu, seancat tona gjyqësore janë të hapura për mediat dhe qytetarët, përveç rasteve të parashikuara me ligj, kur ato kërkohen të jenë të mbyllura”, shtoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



