Gazeta Si – Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë vendosur për vijimin e masës së paraburgimit ndaj Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët bashkë me Hashim Thaçin akuzohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Sipas tri vendimeve të ndara të bëra publike më 18 shtator 2025, Prokuroria ka pretenduar se ekziston rreziku që tre të akuzuarit t’i ikin drejtësisë, të kryejnë krime të tjera dhe të pengojnë drejtësinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Charles Smith III, në vendim thekson se s’ka informacion të mjaftueshëm që justifikon një konstatim se të akuzuarit mund t’i ikin drejtësisë nëse lirohen.
Megjithatë, sipas Gjykatës, ekziston rreziku që të akuzuarit të pengojnë përparimin e procedurave të Gjykatës dhe të kryejnë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar prova në këtë rast dhe/ose mund të thirren në procedura paralele.
Kështu, gjykata vendosi që Veselit, Krasniqit dhe Selimit, t’iu vazhdohet paraburgimi.
Ndryshe, dëshmitarët e mbrojtjes filluan të dëshmojnë më 15 shtator. Dëshmitari i parë ishte James Rubin, ish-ndihmës i sekretarit amerikan të shtetit i cili dëshmoi më 15, 16 dhe 17 shtator 2025. Kurse, Paul Ëilliams dëshmoi më 17 dhe 18 shtator.
Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë
DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /REL/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



