Drejtësia

U akuzua se inskenoi vdekjen e tij në Pukë, lirohet nga burgu italiani Davide Pecorelli

Gazeta Si – Lirohet në sallën e Gjykatës së Apelit në Tiranë, italiani Davide Pecorelli, i cili u akuzua se kishte inskenuar vdekjen e tij në Pukë.

Në vendimin e saj, gjykata e deklaroi të pafajshëm për veprën penale të mashtrimit, ndërsa ndryshoi akuzën, nga shkatërrim prone me zjarr me pasoja të rënda dhe e deklaroi fajtor për shkatërrim prone me zjarr.

Për këtë akuzë, Pecorelli u dënua me 8 muaj burgim. Ai u deklarua fajtor për veprën penale “dhunim varresh” dhe dënimin me 8 muaj burgim.

Në bashkim dënimesh, gjykata e dënoi përfundimisht me 14 muaj burgim. Në zbatim të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, i ulet 1/3 dhe përfundimisht dënohet me 9.6 muaj burgim.

Gjykata deklaroi se “duke pasur parasysh periudhën e paraburgimit në Itali dhe Shqipëri, dënimi konsiderohet i vuajtur, prandaj urdhërohet lirimi i menjëhershëm i tij”.

Në vitin 2021, 50-vjeçari Davide Pecorelli inskenoi vdekjen e tij në zonën e Pukës, ku pasi kishte marrë një makinë me qira dhe kishte siguruar disa mbetje eshtrash, dogji makinën duke lënë pas një skenë krimi dhe u largua.

Një vit më pas, në 2022, hetimet nxorën zbuluar të gjithë inskenimin, teksa Pecorelli u arrestua në Itali, kur ishte larguar nga vendi ynë ilegalisht.

Për disa muaj ai jetoi i fshehur në qytetin e Vlorës. Shkak i inskenimit ishin borxhet që ai kishte pas falimentimit të biznesit, duke humbur gjurmët për shumë muaj, derisa u gjet në Itali pranë ishullit të Montecristo-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë