Gazeta Si – Gjykata e Fierit ka caktuar 60 ditë “arrest me burg” për katër nga të akuzuarit për skemat piramidale online, ndërsa dy të tjerë, Emanuel Taullau dhe Flavio Mukaj, janë lënë në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”
Arbër Çela, Emanuel Taullau, Flavio Mukaj, Marius Kodra, Brunilda Ndini dhe Brunilda Todi, kanë mbërritur në gjykatë rreth orës 8:30 të kësaj të mërkure të shoqëruar nga dy furgonë policie, ndërsa në ambientet e jashtme ndodheshin familjarë të tyre.
Në seancën me dyer të mbyllura ata kanë dhënë dëshminë e tyre para trupës gjykuese të përbërë nga gjyqtar Genci Busho dhe prokurore Jonida Allushi.
Sipas burimeve, 6 të akuzuarit kanë thënë se janë viktima të situatës. Ndërkohë, për mediat nëna dhe tezja e një prej të arrestuarve, kamarierit Emanuel Taullau, ka pohuar se nuk e dinin që kjo ishte e gabuar. “Ia dhashë vetë lekët djalit”, ka thënë nëna e Emanuelit.
Mbi 6 të akuzuarit rëndojnë akuzat “Skema piramidale online” dhe “Mashtrim kompjuterik”. Ndërkohë operacioni i bluve të Fierit vijon dhe pritet që në ditët në vijim të ketë edhe arrestime të tjera, ndërsa në kërkim janë edhe çifti i bashkëshortëve, Erledio dhe Alma Shebeku.
Këta persona, të dyshuar si të përfshirë në krijimin e skemave mashtruese piramidale online, kishin si koordinator një person, të cilin ata e thërrisnin me nofkën “Profesori”.
Në fakt, emri i tij në komunikimet e zbërthyera në rrjetin social Telegram, ishte Leo Smith, që nga deklarimet e të arrestuarve rezulton të jetë një shtetas britanik, për të cilin vijojnë hetimet nga policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



