Kosova

Rubin përfundon dëshminë në Hagë: Thaçi u kërcënua nga Albright për të firmosur marrëveshjen e Rambujesë

Nga Gazeta ‘Si’- Në bankën e dëshmitarit në Gjykatën Speciale të Hagës, dha dëshminë e tij në ditën e tretë dhe të fundit ish-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, James Rubin,i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

I pyetur nga gjykata nëse Rubin ka dijeni për kërcënimet që Hashin Thaçi mund t’i ketë bërë dy anëtarëve të delegacionit të Kosovës në Rambuje, të cilët nuk ishin pjesë e UÇK-së, ish-zyrtari amerikan është shprehur se nuk ka qenë në dijeni të ndonjë kërcënimi fizik.

Ndër të tjera, ai shton se Thaçi është kërcënuar nga sekretarja e shtetit Madeline Albright, me qëllim për të detyruar ish-presidentin të firmoste marrëveshjen e Rambujesë.

“Ta ndajmë kërcënimin fizik nga ai moral. Jo nuk e kam ditur që ka pasur kërcënim fizik, por e di që ka pasur presion ideologjik pro ose kundër pavarësisë sepse kjo ishte kryesorja për lëvizjen gjatë luftës. Kështu që Albright e ka kërcënuar Thaçin duke i thënë se nëse nuk nënshkruan, nëse i lë njerëzit e pambrojtur nga serbët… kam dëgjuar edhe se është kërcënuar edhe Demaçi”, tha Rubin.

Rubin sqaron fjalën “tradhtar”  

Gjatë pyetjeve të mbrojtjes së Thaçit, Rubin rikujtoi edhe njëherë ditët e marrëveshjes së Rambujesë, komunikimet me Thaçin, teksa sqaroi edhe njëherë fjalën “tradhtar” që ai e përdori në fillim të dëshmisë.

Ai kishte deklaruar se kështu do të quanin Hashim Thaçin nëse ai do të pranonte marrëveshjen pa u përmendur pavarësia e Kosovës.

Rubin tha se ky moment që ishte përshkruar të një artikull të tij, ishte përkthyer më pas në shqip e më pas ishte bërë pjesë e një libri dhe mund të kenë ndryshuar fjalët.

Sipas tij ky epitet se Thaçi do të quhej tradhatar mund të ketë qenë më shumë përceptim i tij sesa vet deklaratë e Thaçit.

“Nuk imagjinoj që ta ketë quajtur veten tradhtar, por unë po përpiqesha të bëja një përmbledhje të asaj çështje. Fjala që kam zgjedhur bazohej në vlerësimin që kam bërë. Megjitahtë e di se ai ishte në një presion të madh”, tha Rubin.

Rubin: Thaçi nuk ishte komandant kryesor i UÇK-së

Avokati i Thaçit, Mishetiq, e pyeti nëse e dinte se ku gjendej Thaçi nga nëntori i vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999.

Rubin përsëriti se nuk dinte për lëvizjet e tij, “por besoj se kur kam folur [në telefon] ka qenë në Kosovë. Pra, në kohën e bombardimeve”.

Më pas Mishetiq citoi një intervistë të Hillit të dhënë më 2002, kur ishte pyetur se ku ishte Thaçi. Hill kishte thënë se atëbotë edhe senatori Dole kishte parashtruar këtë pyetje dhe atij i ishte thënë se Thaçi do të kthehej në Kosovë. Hill kishte shtuar se ky ishte një indikacion se “Thaçi s’kishte mandat”.

Rubin u pajtua.

“Absolutisht pajtohen. Thaçi nuk ka qenë asnjë lloj komandanti kryesor”, tha ai.

Rubin: Komunikatat e UÇK-së ishin përpjekje për ta bërë më të rëndësishme UÇK-në

James Rubin tha se sipas tij Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte strukturë të organizuar siç e kanë ushtritë.

Ai tha se kishte më shumë grupe, klane, por jo strukturë të mirëfilltë ushtarake.

“Me sa pashë unë nuk ka pasur batalione, brigada apo njësi në UÇK, nuk besoj se se ka pasur organizim nga pikëpamja ushtarake”, tha Rubin.

Ai mohoi të kishte dijeni se në UÇK kishte polici ushtarake.

“Unë e di që kishin uniforma, disa kishin disa jo. Ne nuk i konsideronim ata si komandantë apo shtab i përgjithshëm”.

Në lidhje me komunikatat e UÇK-së, Rubin tha se ka lexuar shumë prej tyre, por tha se i dukeshin si përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme sesa ishte.

“Për mua ishin thjesht manipulime”, shtoi ai.

“Kam lexuar shpesh komunikata [të UÇK], por më dukeshin si përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme se ç’ishte. Për mua ishin thjeshtë manipulime”, tha Rubin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë