Gazeta Si – Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi dënimin me 2 vite e 8 muaj burg për ish-kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili u gjet fajtor për shpërdorim detyre në 2 raste.
Dako u arrestua më 6 qershor 2023, por u lirua nga qelia 8 muaj më vonë, pasi SPAK nuk arriti të përfundojë hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve.
Kështu Dako, i akuzuar për korrupsion, pritet të rikthehet në burg për të vijuar pjesën e dënimin që i mbetet, ndërsa rreth një vit më parë u la në “arrest shtëpie”.
Ai ka qëndruar 6 muaj në paraburgim dhe më pas ka vuajtur 13 muaj në “arrest shtëpie”, periudha që do të zbriten nga vendimi përfundimtar.
Sipas deklaratës së avokatit mbrojtës, dënimi i Dakos përfundon më 27 shtator, çka do të thotë se i mbeten edhe 11 ditë për të përfunduar vuajtjen e plotë të dënimit.
Në fuqi është lënë edhe dënimi përfundimtar me 2 vite burg për të bashkëpandehurit e Dakos, Ardian Bulku dhe Fiqiri Farruku.
Dako u dënua në nëntor të vitit të shkuar me vendim të Shkallës së parë të Gjykatës së Posaçme. Ai u shpall fajtor për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në dy raste.
Rasti i parë i shpërdorimit të detyrës ndaj Dakos ka të bëje për lejen e një pallati 7-katësh. Në dosjen e SPAK thuhet se pas lejes së parë për ndërtimin, pronari kishte aplikuar sërish për një leje për 4 kate shtesë. Por ndërkohë që leja e dytë nuk ishte zbardhur, punimet vijuan në kundërshtim me ligjin.
Në dosje thuhet se dokumentacioni i nevojshëm para nisjes së punimeve, përfshi edhe studimin sizmik, është kryer vetëm pasi pallati ishte ndërtuar dhe ishin futur banorët. Rasti i dytë lidhet me tenderin për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila.
Grupi i punës i ngritur nga ish-kryebashkiaku, i cili kishte detyrë të përcaktonte fondin limit për tenderin, rezulton se ka bërë gabim në përllogaritje, duke e 10-fishuar vlerën.
Sipas SPAK, buxhetit të bashkisë Durrës i është shkaktuar një dëm prej 18 milionë lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



