Gazeta Si – Prokuroria e Dibrës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq dosjen në ngarkim të 64-vjeçarit Islam Meta, i cili u arrestua pasi vitin e kaluar vrau me armë gjahu 52-vjeçarin Petrit Pupla.
Sipas prokurorisë, djali i autorit ka sqaruar se babai i tij ka pasur konflikt të vjetër me viktimën, pasi ky i fundit kishte plagosur më herët motrën e tij dhe për këtë veprim u dënua me 12 vite burg.
Megjithatë, edhe pasi pëfundoi dënimin, palët nuk ishin pajtur dhe autori, Islam Meta, rreth 3-4 muaj para vrasjes i kishte dërguar mesazh viktimës që të mos shkonte në fshatin Vig pasi do të hakmerrej ndaj tij.
Sipas hetimeve, Pupla ishte i dashuruar me vajzën e Islam Metës dhe kërkoi të fejohej me të, por familja e vajzës nuk e pranoi dhe e fejuan me dikë tjetër.
Për t’u hakmarrë, Pupla e plagosi vajzën kur ajo u fejua dhe prej asaj ngjarjeje marrëdhëniet kanë qenë konfliktuale mes dy familjeve.
Duke marrë në konsideratë këto fakte, Prokuroria e Dibrës ka kërkuar që i moshuari të dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryer vitin e kaluar në fshatin Vig të Burrelit.
Petrit Pupla u qëllua nga Meta teksa po ecte në rrugë në fshatin Vig i shoqëruar nga një tjetër person. Pas ngjarjes, autori ka telefonuar vetë policinë dhe është larguar në drejtim të shtëpisë së tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



