Drejtësia

Altin Dumanit i përfundon mandati, KLP hap garën në 17 shtator për kreun e ri të SPAK

Gazeta Si – Në datën 17 shtator, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet për të hapur rrugën dhe shqyrtuar nisjen e procesit për zgjedhjen e kreut të ri të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Mbledhja do të zhvillohet me pjesëmarrjen e anëtarëve të KLP-së, përfaqësuesve të Prokurorit të Përgjithshëm, Ministrisë së Drejtësisë, EU4Justice dhe OPDAT.

Rendi i ditës përfshin miratimin e procesverbalit të mbledhjes së mëparshme, diskutimin e shpalljes së vendit vakant për kreun e ri të SPAK dhe vlerësimin etik dhe profesional të tre prokurorëve: Françesk Ganaj, Ermira Manelli dhe Hysni Mulaj.

Më 18 dhjetor 2025, mbaron mandati i drejtuesit aktual të këtij institucioni, Altin Dumani. Pas një përvoje disa vjeçare në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Prokurorinë e Apelit Tiranë, ai e mori detyrën e rëndësishme në vitin 2022, me 5 vota pro të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Altin Dumani është drejtuesi i dytë i Prokurorisë së Posaçme që prej krijimit të këtij institucioni, duke pasuar Arben Krajën.

Pas largimit nga drejtimi i SPAK, Altin Dumani do të vijojë të jetë prokuror i kësaj strukture. Mandati i prokurorëve të SPAK është 9-vjeçar.

Gjatë kësaj periudhe, puna e kreut të SPAK, Dumani, është shoqëruar me akuza të forta dhe direkte nga politika, sidomos nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë