Nga Gazeta Si – Gjermania u shpall Kampione në “FIBA EuroBasket 2025” pas triumfit ndaj Turqisë në Finalen e zhvilluar në Riga.
Ky ishte suksesi i parë continental prej vitit 1993 që duke ju shtuar lavdisë në “FIBA Basketball World Cup 2023” i bën “teutonët” një nga 4 kombëtaret që i mban të dy titujt në të njëjtën kohë.
Më herët diçka të tillë e kishin realizuar ish Bashkimi Sovjetik, ish Jugosllavia dhe Spanja.
“Lojtari i Ndeshjes” ishte Isaac Bonga, që shënoi 20 pikë dhe mori 5 ribaund në fitoren 88-83 që Gjermania arriti në prani të 11.000 shikuesve në “Arena Riga”.
Dennis Schroder u shpall “TISSOT MVP” pas një Evropiani spektakolare për Gjermaninë, përfshi një “double-double” prej 16 pikësh dhe rekordin e Finales me 12 asist kundër Turqisë.

Bashkë me të “All-Star Five” u përfshi shoku i skuadrës Franz Wagner, turku Alperen Sengun, greku Giannis Antetokounmpo dhe slloveni Luka Doncic.
Të dyja skuadrat i kishin fituar të gjitha ndeshjet deri në Finale, por humbja i mohoi Turqisë, mundësinë e një titulli historik, pas Finales së humbur në vitin 2001.
Në Finalen për vendin e 3, Greqia siguroi shkallën e fundit të podiumit me një sukses dramatik, 92-89 ndaj Finlandës.
Giannis Antetokounmpo kryesoi me 30 pikë, 17 ribaund dhe 6 asist duke ndihmuar Greqinë të fitonte medaljen e parë kontinentale prej vitit 2009.

– Klasifikimi i “top10” në “FIBA EuroBasket 2025”:
1. Gjermania
2. Turqia
3. Greqia
4. Finlanda
5. Lituania
6. Polonia
7. Sllovenia
8. Gjeorgjia
9. Franca
10. Serbia
– Tituj në Eurobasket:
14. ish Bashkimi Sovjetik
8. ish Jugosllavia
4. Spanja
3. Lituania
2. GJERMANIA, Italia, Greqia
1. ish Çekosllovakia, Franca, Rusia, Hungaria, Letonia, Egjipti, Sllovenia
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



