Gazeta Si – Ragip Gila, 29-vjeçari që ekzekutoi dy persona dhe plagosi të tjerë në zemër të Shkodrës, është transferuar në burgun e sigurisë së lartë “302” në Tiranë.
Ai mbahet tashmë në një qeli të veçuar, nën masa të forta sigurie, për shkak të rrezikshmërisë së lartë dhe natyrës brutale të krimit që kreu.
Ngjarja tronditëse që pati për protagonist kryesor Rakip Gilën ndodhi mëngjesin e të hënës, në një lokal të njohur e të frekuentuar në qendër të qytetit.
I pajisur me dy armë një pistoletë dhe një automatik “Scorpion” si dhe me jelek antiplumb, Gila hyri i përgatitur për të vrarë. Pa u menduar dy herë, ai hapi zjarr drejt një tavoline ku ndodhej Erogen Brajoviç, një emër i njohur në Shkodër për lidhjet e tij të ngushta me fisin famëkeq Bajri.
Pikërisht një pistoletë e modelit çek dhe një automatik model izraelit, iu gjetën Gilës në momentin e arrestimit të tij nga policia, pak pasi kishte vrarë dy persona dhe plagosi dy të tjerë në qendër të Shkodrës mëngjesin e të hënës.
Automatiku “MP5”, i prodhimit izraelit, është një armë e vogël dhe e lehtë për t’u mbajtur, por me kapacitet të lartë zjarri. Ai mund të lëshojë rreth 120 predha në minutë, ndërsa me karikatorë të zgjeruar dhe breshëri të shpejta arrin të qëllojë deri në 500 predha në minutë.
Armët janë sekuestruar pas arrestimit të autorit dhe janë dërguar në laboratorin e policisë kriminale për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje të tjera.
Nga ana tjetër, grupi hetimor po rindërton skemën e krimit duke ndjekur lëvizjet e autorit para dhe pas ngjarjes së rëndë.
Dyshohet se Ragip Gila ka bashkëpunuar me më shumë se dy persona, të cilat janë shpallur në kërkim nga policia, njëri prej tyre i mitur.
Pista kryesore e hetimeve është ajo e larjes së hesapeve dhe që urdhri të jetë dhënë nga një grup kriminal.
Nga ngjarja mbetën dy viktima Armando Pali e Liridon Krajën, si dhe dy të plagosur: E.V. (Brajoviç), i cili ishte dhe shënjestra atentatit, si dhe një kamariere 25-vjeçare.
Një ditë më parë, Gjykata e Shkodrës e la në burg deri në përfundim të hetimeve. Përveç akuzave për vrasjet dhe plagosjet në rrethana cilësuese, ndaj Gilës janë ngritur paraprakisht edhe akuzat e armëmbajtjes pa leje, grabitjes së pronës me dhunë dhe dëmtimeve të tjera të kryera me dashje.
Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura në Gjykatën e Shkallës së Parë të Shkodrës, mësohet se vetë Ragip Gila nuk ka pranuar të japë asnjë deklaratë. Gjykata i mundësoi një avokat kryesisht, pasi as familjarët dhe asnjë nga avokatët nuk kishin marrë përsipër mbrojtjen e tij.
Nga dëshmia e Gilës, pak momente pas arrestimit, ai ka deklaruar se shënjestra e këtij atentati të shumëfishtë ka qenë Erogen Vaso alias Brajoviç, i cili mbeti i plagosur.
Në lidhje me ngjarjen, kontrolle u ushtruan menjëherë në Kiras, pas dyshimeve se atentati ishte për hakmarrje, ku u gjet baza e armëve, me të cilën policia lidhin Barush Bregun, njeri i afërt i Licëve, bashkë me një 17-vjeçar, që u shpallën në kërkim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



