Gazeta Si – Lihen në burg administratori i ‘Era-Fruit’, Mariglen Qorri dhe në masën “arrest shtëpie” 2 inspektorët e AKU-së nga Gjykata e Beratit, pas iu sekuestruan domate që dyshohet se mund të jenë me përbërje të lartë pesticidesh.
Ekpsortuesi i perimeve, Mariglen Qorri, 40-vjeç dhe dy punonjësit e AKU-së në Berat, Griselda Doksani, 25-vjeçe dhe Ronaldo Lika, 25-vjeç u ndaluan disa ditë më parë.
Në momentin e mbërritjes së tyre, jashtë ambjenteve të gjykatës, përveç familjarëvë ka pasur edhe fermer dhe eksportues perimesh, që kishin ardhur në mbeshtetje të kolegut të tyre Mariglen Qorri.
Pasi dëgjoi kërkesën e organit të Prokurorisë dhe pretendimet e avokatëve mbrojtës të tre të arrestuar, gjyqtarja Ardiola Çela ka vendosur të cilësojë “të ligjshëm” arrestimin e tyre dhe ka vendosur masat e sigurimit personal “arrest në burg” për shtetasin Mariglen Qorri (eksportuesi), “arrest shtëpie” për punonjësen e AKU-së Griselda Doksani dhe “arrest shtëpie” për punonjësin e AKU-së Ronaldo Lika.
Pas daljen nga gjykata, Griselda Doksanit i ka rënë të fikët dhe është transportuar me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Beratit.
Të tre u arrestuan më 11 shtator në kuadër të operacionit të koduar “Again”. Mariglen Qorri, 40-vjeç, banues në Kuçovë, pronari i kompanisë së eksportit të perimeve “Era-Fruit”, akuzohet për veprat penale: “Importimi,prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, ndërkohë që dy punonjësit e AKU-së Griselda Doksani, 25-vjeçe, banuese në Berat dhe Ronaldo Lika, 27-vjeç, banues në Tiranë, akuzohen për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Sipas prokurorisë, Mariglen Qorri kishte prodhuar dhe më pas kishte eksportuar drejt Kroacisë 8 tonë domate, të cilat pas analizave të kryera kishin rezultuar me përbërje të lartë të preparatit “Chlorefenapyr”, dhe ishin asgjësuar nga autoritetet atje.
Gjithashtu, për të shmangur përgjegjësisë ligjore, ai ka përdorur fatura fiktive blerjeje nga fermerë të tjerë. Punonjësit e AKU Berat u arrestuan pasi-sipas hetimeve të prokurorisë-gjatë kontrollit që kanë kryer në këtë subjekt, ku kanë plotësuar praktikën në mënyrë fiktive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



