Drejtësia

Vrau 2 persona dhe plagosi dy të tjerë, Ragip Gila mbetet në burg

Gazeta Si – Gjykata e Shkodrës ka lënë në burg Ragip Gilën, i cili mëngjesin e 8 shtatorit vrau në qendër të Shkodrës 2 persona dhe plagosi 2 të tjerë.

Ishte prokurori i çështjes, Pjerin Çukaj, ai që kërkoi masën “arrest me burg” për autorin e masakrës që tronditi kryqendrën e veriut.

Përveç akuzave për vrasjet dhe plagosjet në rrethana cilësuese, ndaj Gilës janë ngritur paraprakisht edhe akuzat e armëmbajtjes pa leje, grabitjes së pronës me dhunë dhe dëmtimeve të tjera të kryera me dashje.

Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura në Gjykatën e Shkallës së Parë të Shkodrës, mësohet se vetë Ragip Gila nuk ka pranuar të japë asnjë deklaratë.

Gjykata i mundësoi një avokat kryesisht, pasi as familjarët dhe asnjë nga avokatët nuk kishin marrë përsipër mbrojtjen e tij.

Për momentin nuk dihet ende nëse, në kryerjen e kësaj masakre, ai ka qenë vetë ideatori dhe organizatori apo ka pasur persona të tjerë.

Prokuroria ka deklaruar se, përveç Gilës, ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë, që dyshohet se e kanë ndihmuar për të siguruar armët dhe mjetin motorik për të kryer vrasjet.

Të vrarë mbetën Armando Pali dhe Liridon Kraja (Lushi). Ndërsa u plagosën Erogen Brajoviç alias Erogen Vaso, dhe kamerierja 25-vjeçare e lokalit ku ndodhi masakra.

Vetë autori u arrestua pak minuta pas ngjarjes. Në polici ai tha se objektiv për të vrarë kishte Erogen Brajoviç alias Erogen Vaso, pjesë e grupit të Bajrave.

Sipas policisë, Barush Bregu dhe një 17-vjeçar të shpallur në kërkim, siguruan të gjitha mjetet e nevojshme për të realizuar vrasjen e Brajoviçit, mik i klanit Bajraj në Shkodër.

Dy vite më parë, në fillim të dhjetorit 2023, Ragip Gila u arrestua në Shkodër pasi iu gjetën në banesë një sërë sendesh të kundraligjshme.

Bëhet fjalë për maska, paruke, jelekë antiplumb, kokore metalike si të policisë, armë gjahu, municion luftarak dhe sende të tjera që dyshohet se do të përdoreshin nga grupet kriminale.

Ragip Gilës iu gjetën gjithashtu edhe 1 kavanoz me 13 pako kanabis. Droga dyshohet se shitej në afërsi të shkollave, lokaleve dhe zona të ndryshme të Shkodrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë