Nga Gazeta ‘Si’- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të martën se funksionalizimi i Kuvendit të Kosovës nuk duhet të bllokohet nga mungesa e një nënkryetari, si dhe e kritikoi Listën Serbe se po “synon” ta bllokojë formimin e institucioneve të vendit.
Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Osmani tregoi se sapo i ka dërguar komentet e saj në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me ankesën e partisë më të madhe të serbëve për votimin e nënkryetarëve të Kuvendit.
“Në rrethana kur bllokohet puna e Kuvendit, përkundër faktit që kryesia ka kuorum, pamundësohet ushtrimi i sovranitetit. Bllokimi i Kuvendit për mos përzgjedhjen e një nënkryetari, përderisa kryesia ka kuorum, do t’i cenonte në mënyrë serioze edhe themelet mbi të cilat është ndërtuar republika jonë”, tha Osmani.
Ajo shtoi se “po synohet që për një nënkryetar të bllokohet shteti në tërësi. Një shtet pa institucione është shtet i dështuar”.
“Përderisa kemi kryetar, ka kuorum dhe kryesi, Kuvendi nuk duhet të bllokohet. Pozita që i takon komunitetit serb mbetet për komunitetin serb. Askush nuk do ta zërë atë vend, ai do të plotësohet në një seancë të radhës”, theksoi ajo.
Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri masë të përkohshme përmes së cilës ua ndaloi deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime, si dhe ua ndaloi zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re.
Gjykata e vendosi këtë masë – që do të jetë në fuqi deri më 30 shtator – në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.
Osmani shpreson në themelimin e institucioneve të reja pas 30 shtatorit
Presidentja tha se shpreson se Gjykata Kushtetuese do të marrë vendim për ta shpallur të konstituuar Kuvendin e Kosovës dhe që vendi t’i themelojë shpejt institucionet e reja, pothuajse shtatë muaj pas zgjedhjeve të shkurtit.
Osmani tha se do ta caktojë mandatarin për kryeministër të vendit menjëherë, nëse vendimi i Kushtetueses është pozitiv – që në këtë rast i bie nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.
“Menjëherë pas 30 shtatorit… me shpresën që do të ketë vendim në frymën pozitive të konstituimit, po atë ditë do ta thërras partinë e parë dhe menjëherë do të procedojë edhe me caktimin e mandatarit. E pastaj punët e tjera janë në duar të partive, kush e krijon shumicën, si e krijojnë shumicën, si votohet qeveria, ato pastaj janë jashtë këtij institucioni”, tha Osmani.
Vetëvendosje, e cila e ka të drejtën e mandatarit e para, e propozoi sërish Albin Kurtin për kryeministër në një takim të partisë në fundjavë.
Megjithatë, Vetëvendosje me 48 ulëse në Kuvend nuk e ka shumicën dhe do t’i duhej të arrijë marrëveshje për koalicion qeverisës për ta formuar Qeverinë në rast se gjykata e jep dritën jeshile pas 30 shtatorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



