Gazeta Si – Një bilanc i vërtetë lufte brenda 10 ditësh: 4 të vrarë me armë zjarri dhe 2 të tjerë të plagosur. Qyteti i Shkodrës po përjeton një nga situatat kriminale më të pazakonta sa i takon kronikës së zezë.
Masakra e fundit me një breshëri arme zjarri në një lokal pranë bashkisë, shkaktoi 2 viktima (Armand Pali dhe Liridon Kraja) dhe dy të plagosur, Erogen Vaso alias Bajroviç, shënjestra e dyshuar dhe Meri Kaceri, e cila nuk kishte lidhje me ngjarjen.
Autori Ragip Gila, me precedentë penalë për armëmbajtje pa leje, u arrestua nga policia pak momente pas krimit.
Ndërsa të shtënat në mes të lokalit tronditën qytetarët e kryeqendrës së veriut, të cilët ndihen të pasigurt nga vrasjet dhe ngjarjet e shumta kriminale që kanë përfshirë qytetin.
Për momentin mbeten ende të paqarta rrethanat e kësaj ngjarje që përveç viktimave ka rrezikuar jetën edhe të shumë personave të tjerë që ndodheshin në lokal.
Gjithashtu ende nuk dihet zyrtarisht se kush nga tre personat qe ishin bashkë mund të ketë qenë shënjestra e vërtetë e këtij atentati.
Para 4 ditësh, më 4 shtator rreth orës 22:00 të mbrëmjes, në qendër të qytetit të Shkodrës, në një lokal të lagjes “Vasil Shanto” u ekzekutua me armë zjarri 34-vjeçari Kristian Kola, teksa pinte kafe. I riu nuk kishte precedentë të mëparshëm penalë, ndërsa punonte me të atin në një firmë ndërtimi.
Autorët, ishin dy persona me motor, të cilët u zhdukën në një rrugicë dhe edhe sot kur kanë kaluar 4 ditë nga vrasja, policia nuk ka asnjë gjurmë rreth tyre apo rreth motivit që kishte sjellë ekzekutimin e rëndë.
Më 28 gusht, Ndoc Macaj, kryeplaku i fshatit Abat vrau me armë zjarri Piro Prronin për shkak të një parcele në pronësi të autorit, ku ishin kultivuar 80 rrënjë kanabisi.
Maçaj pretendoi se viktima, kushëriri i tij e kishte kërcënuar me drapër duke i thënë se do ta vriste dhe për rrjedhojë ky i fundit e kishte qëlluar me armë zjarri.
Pak orë pas ngjarjes, autori është vetëdorëzuar në polici, e cila gjeti në vendin e ngjarjes dy gëzhoja pistolete dhe 2 mjete prerëse.
Macaj akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



