Drejtësia

Altin Dumani në SHBA, DASH: Diskutuam për qëllimet e përbashkëta

Nga Gazeta ‘SI’ – Departamenti Amerikan i Shtetit ka zbuluar qëllimin e takimit të kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani me një zyrtar të lartë amerikan dy ditë më parë.

Në një reagim për mediat, DASH tha se fokusi i diskutimeve të Dumanit dhe zyrtarit të lartë të Byrosë, Brendan Hanrahan, ishin lufta ndaj trafikut të drogës, krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm.

“Shtetet e Bashkuara po punojnë me Shqipërinë për qëllimet tona të përbashkëta të ndalimit të trafikut të drogës, krimit të organizuar dhe migracionit të parregullt. Zyrtarë të lartë të Departamentit u takuan me Kreun e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Dumani, për të diskutuar fusha të bashkëpunimit me përfitim të ndërsjellë”, tha DASH.

Dumani ishte në Uashington më 2 shtator. Takimi me Hanrahan u mbajt me dyer të mbyllura dhe nuk kishte mbulim mediatik.

Vizita e tij u zhvillua vetëm dy javë përpara hapjes nga KLP-ja e garës për drejtuesin e ri të SPAK, pasi mandati i Dumanit në krye të Prokurorisë së Posaçme përfundon në dhjetor.

Në dhjetor të 2024-s, Dumani u vlerësua nga Departamenti Amerikan i Shtetit me çmimin e kampionit kundër korrupsionit. Ai ishte në mesin e 10 zyrtarëve, përfaqësues të shoqërisë civile apo edhe gazetarë nga vende të tjera të botës të vlerësuar nga SHBA-të.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë