Arsim

Viti i ri shkollor, policia me plan masash: Do mbyllen bizneset që shesin alkool afër shkollave

Nga Gazeta Si- Lokalet dhe bizneset që shesin alkool afër shkollave do të mbyllen.

Policia e Shtetit ka bërë publik planin e masave që do të zbatohet duke nisur nga e hëna me startimin e vitit të ri shkollor.

Përmes një deklarate për mediat, drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik, Agron Çeli shpjegoi me detaje se ku do të fokusohet puna e policisë.

Çeli zbuloi se do të mbyllen ose largohen subjektet që ndodhen pranë shkollave të cilat tregtojnë pije alkoolike apo produkte të skaduara.

“Do të punohet për mbylljen apo largimin e lokaleve të tregtisë dhe pikave ambulante të shitjes që tregtojnë pije alkoolike, produkte ushqimore të skaduara pranë shkollave, të cilat jo rrallë herë shërbejnë dhe si pika të grumbullimit të personave me precedent kriminal, përdoruesve të pijeve alkoolike dhe lëndëve narkotike, si dhe burim rreziku për prishje të rendit publik”.

Verifikimi i drejtuesve të mjeteve që transportojnë nxënës për në shkollë është një nga planet e masave që do merren për fillimin e vitit të ri shkollor.

Policia tregon se do të kryhen kontrolle të vazhdueshme për drejtuesit e automjeteve që transportojnë nxënësit, duke përfshirë testet për alkool, kontrollin teknik të automjeteve dhe zbatimin e rregullave të transportit të nxënësve.

Komisariatet dhe Stacionet e Policisë, për shkollat që kanë në juridiksion, duhet të sigurojnë prezencë policore në orarin e fillimit dhe të mbarimit të mësimit, gjatë pushimit të madh apo gjatë ndërrimit të turneve në shkolla.

Gjithashtu, sipas planit të ri, do ketë policë dhe në akset rrugore, veçanërisht pranë shkollave që ndodhen pranë rrugëve kryesore, si në fillim ashtu edhe në përfundim të mësimit.

Ndihmës/specialistët e Policisë në zona do të mbajnë kontakt të përditshëm me drejtuesit e shkollave dhe oficerët e sigurisë në shkolla, me qëllim parandalimin e fenomeneve negative nëpër shkolla, si dhe “për ndërhyrjen e menjëhershme për parandalimin e çdo veprimtarie kriminale që cenon sigurinë e nxënësve”, thuhet në planin e ri të masave.

Policia që do jetë pranë shkolla gjithashtu do të vlerësojnë çdo informacion që ka të bëjë me prishjen e rendit publik dhe kryerjen e çdo veprimtarie kriminale në shkolla, si dhe konfliktet apo mosmarrëveshjet që mund të kenë nxënësit brenda shkollës apo mosmarrëveshjet që mund të kenë me persona të tjerë jashtë.

Në rastet e njoftimeve të rreme, që shkaktojnë panik te nxënësit dhe stafet pedagogjike, policia do bëjë identifikimin e telefonave për të zbuluar personin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë