Nga Gazeta ‘SI’ – Drejtori i Magjistraturës, Arben Rakipi, hartues i Kodit të ri Penal u shpreh se dënimet e parashikuara, të quajtura si “represive” nga kritkët, janë brenda standartit europian.
“Kodi aktual paraqet dhunimin apo vrasjen me dashje nga 10 deri në 20 vjet, Kodi i ri propozon nga 15 deri në 20 vjet burg, Kodi penal italian, jo më pak se 21 vjet, kodi francez e ka 30 vjet. Propozimi ynë është brenda sistemit të sotëm, nuk e ka kritikuar kush për represiv”, tha Rakipi ndërsa krahasonte edhe penalitetet e tjera me vendet europiane.
Ai theksoi se prostitucioni duhet të dekriminalizohet, edhe eutanazia gjithashtu.
“1.5 vjet burg dhe gjobë parashikon Kodi aktual, ndërsa projekti ynë orienton, lidhet edhe me masa të tjera penalizimi. Të depenalizohet ushtrimi i këtij profesioni! Për fat të keq duhet të përdor termin profesion, për vajzën apo djalin që e ushtron me vullnet të lirë. Kodi italian e francez nuk e dënon ushtrimin e prostiticuonit dhe ne tendencën e kemi atje. Propozimi ynë nuk është për shkaqe thjesht ngjashmërie me çfarë ndodh në Europë se kjo nuk do të mjaftonte. Unë mendoj se terreni shqiptar nuk mbahet më me lëndë penale, sidomos në këtë fushë. Ky lloj profesioni ka marrë përkrahje të gjerë që demonstrohet haptasi edhe nga influencerët e jetës të të miturve apo të tjerëve në vend. Për rrjedhojë lënda penale tashmë është e padobishme.”
Rakipi shtoi se grupi i punës ku ai bën pjesë ka menduar që në shumicën dërrmuese të rasteve, vepra si shpifja duhet të vazhdojnë të penalizohen, njësoj si bigamia, pirja e alkoolit në publik etj.
Drejtori i Magjistraturës u ndal edhe tek neni 536 në pavarësinë e gjykatës që ka shqetësuar gazetarët. Në nen përmendet një dënim deri në tre vite burg për komentet që bëhen mbi një çështje gjyqësore përmes të cilave synohet të ushtrohet ndikim.
Sipas Rakipit, kjo dispozitë nuk lidhet me profesionin e gazetarit dhe nuk ka asnjë tendencë kundrejt tyre.
“Pavarësia e gjykatës dhe ndikimi në sistem. Unë dua të siguroj të gjithë ata që u përfshinë, edhe gazetarët sigurisht, që nuk ka asnjë tendencë, do të ishte kriminale nëse do të ishte. Ne jemi të bindur që në proporcionalitetin e interesave publikë në këtë çështje prevalon interesi i drejtësisë. Çështjet e fjalës së lirë janë gjithmonë të ndjeshme, dhe ekuilibri është gjithnjë prezent. Dispozita qartazi nuk e lidh këtë çështje me profesionin e gazetarit. Por lidhet me qëllimin e mbrapsht, qëllimin e dezinformimit, qëllimin për të ndikuar në vendimin e gjykatës, presionin. Të gjitha këto që thashë nuk kanë lidhje me misionin e gazetarëve dhe nuk mund t’i takojë atyre. Sistemi ynë gjyqësor goditet ditë pas dite.”, tha Rakipi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



