Drejtësia

SPAK dërgon për gjykim Metën, Kryemadhin dhe 3 të tjerë për korrupsion e pastrim parash

Nga Gazeta ‘Si’- SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Ilir Metën, ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, nënën e kësaj të fundit Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun, në kuadër të një hetimi për korrupsion dhe pastrim parash.

Hetimi i SPAK ka nisur në vitin 2019 dhe është zgjeruar në vitet pasardhëse në bazë të kallëzimeve të ndryshme, të cilat u bashkuan në një të vetëm në vitin 2024.

Sipas akuzës, Meta akuzohet për korrupsion në 3 raste të ndryshme, 2 prej të cilave i ka kryer në bashkëpunim.

Ish-Presidenti akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, pastrim parash, mosdeklarim pasurie.

Ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në 2 raste, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

Pirro Xhixho akuzohet gjithashtu për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim.

Kurse mamaja e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.

SPAK bën me dije se hetimet kanë zbuluar që Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit, duke shfrytëzuar pushtetin dhe influencën politike kanë favorizuar biznese të caktuara kundrejt përfitimeve monetare.

Episodet e dokumentuara tregojnë 5 të akuzuarit e mësipërm kanë bashkëpunuar në rastet e korrupsionit dhe pastrimit të parave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë