Donald Trump pa ndrojë ka treguar se do interesa të ulëta dhe i do shpejt. Prej muajsh, presidenti ka sulmuar Rezervën Federale, banka qendrore e SHBA-së, se po bën shumë pak për të ulur normat e interesit. Gjatë korrikut ai “flirtoi” me shkarkimin e drejtuesit Jerome Poëell, por u tërhoq. Një tjetër front lufte u hap kur kreu i agjencisë Federale për Financimin e Strehimit, Bill Pulte, akuzoi Lisa Cook, guvernatore në bordin e FED, se kishte gënjyer në aplikimin e saj për kredi.
Këtë herë, Trump nuk duroi më. Në një letër të postuar në rrjetet sociale, ai u shpreh se do ta heqë Cook nga posti i saj, menjëherë. Ajo tha se Trump nuk ka asnjë autoritet mbi postin e saj dhe nuk u largua. Ligjshmëria e vendimit të presidentit është shumë e pasigurt. Një vendim i Gjykatës së Lartë në maj konfirmoi vetëm se guvernatorët e Fed mund të shkarkohen me shkak, dhe Cook nuk është paditur, e lëre më e dënuar, për ndonjë krim. Akuzat, të cilat Departamenti i Drejtësisë po i heton, lidhen me dokumentet e dorëzuara përpara se Cook të merrte postin e saj. Ka pak precedent: asnjë guvernator i Fed nuk është shkarkuar për ndonjë shkak më parë.
Lëvizja ka përshkallëzuar luftën e Trump me FED, agjencia më e izoluar nga politika në SHBA. Në rrethana normale guvernatorët e FED kanë mandate jetëgjata dhe është e vështirë të largohen apo të shkarkohen. Mandati i Cook mbaron në 2038-n. Deri më tani ka qenë një luftë fjalësh, por gjasat janë të shkojë dhe në gjykatë. Ndërhyrjet e Trump në FED, do të dëmtojnë pavarësinë e bankës qendrore.
Tregjet kanë reaguar me nervozizëm. Dollari ra me 0.3% direkt pas njoftimit. Indeksi S&P 500, më i madhi ndër aksionet amerikane ra me 0.5% dhe yield-et e titujve 10-vjeçar të Thesarit u rritën me 0.04%. Ky është një kombinim fatkeq, që do të thotë se asetet amerikane po zhvlerësohen. Deri më tani rënia nuk ka qenë e madhe. Investitorët ende po presin ndonjë veprim tjetër.
Në fillim të këtij muaji, Trump përdori gjithashtu rrjetet sociale për të shkarkuar Erika McEntarfer, kreun e Byrosë së Statistikave të Punës (BLS), pasi rishikimet e të dhënave të punësimit treguan se rritja e vendeve të punës ishte dobësuar ndjeshëm. Ai ka propozuar zëvendësimin e saj me E.J. Antoni, një ekonomist i lidhur me Trump. Edhe pse ndryshimet e të dhënave të motivuara politikisht dhe ulja e normave janë ende disi larg, nuk duket më e pamundur. Trump do të duhet të kthejë disa vende të tjera në FED përpara se të ketë ndonjë shpresë për të bindur shumicën e vendosësve të normave të votojnë për më shumë se një pjesë të vogël të shkurtimeve. Dhe mijëra nëpunës civilë të përfshirë në përpilimin e të dhënave ekonomike të Amerikës me siguri do të jepnin alarmin nëse Antoni do të përpiqej të manipulonte vendet e punës ose shifrat e inflacionit.
Veprimet e Trump pothuajse me siguri do të rezultojnë vetë-shkatërruese, duke e bërë qëllimin e tij përfundimtar – kostot më të ulëta të huamarrjes për qeverinë federale dhe amerikanët e zakonshëm – shumë më të vështirë për t’u arritur. Fed kontrollon vetëm normat afatshkurtra të interesit; normat afatgjata përcaktohen nga tregu i obligacioneve. Ndërmjet deficiteve të fryra dhe kërcënimit se ndërhyrja politike mund të mbajë inflacionin në nivele të larta, investitorët po turbullohen. Yield-et e thesarit 30-vjeçar janë gati 5% dhe po qëndruar i ngritur gjatë muajve të fundit, edhe pse ekonomia është ngadalësuar. Nëse Trump i konsideron të padëshiruara normat e larta të interesit kur rritja ishte e fortë, kombinimi i tyre me rritje të dobët do të ishte akoma më i pakëndshëm./TheEconomist
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



