Nga Gazeta ‘Si’- Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Zgjedhja e Bashës i hap rrugën konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Basha mori 73 vota pro, 30 kundër dhe tri abstenime.
Ai arriti t’i marrë votat e nevojshme falë një pjesë të deputetëve të PDK-së, AAK-së, dhe një pjese të pakicave. Ndërkohë LDK-ja dhe Lista Serbe votuan kundër.
Në fjalimin e tij të parë nga foltorja si kryetar i Kuvendit, Basha nënvizoi se ky institucion është zemra e demokracisë.
Pasi falënderoi edhe kundërshtarët për besimin me votë, ai i ftoi që të punojnë në të mirë të vendit pasi siç tha: “Kosovën e kemi bashkë”.
“Ky institucion është zemra e demokracisë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica se liria e shtetit, janë më të mëdha se çdo interes. Është e ndërtuar mbi sakrifica, mundin, gjakun e qëndresën e atyre që besuan se e ardhmja e kombit ishte më e rëndësishme se e ardhmja tyre. Një përulje u takon grave, nënave, tona që ofruan dashni e përkushtim, ishin e mbeten themeli i një shoqërie të shëndoshë.
Sot kjo republikë qëndron e pavarur edhe falë ndihmës së shteteve mike në krye me SHBA-në. Ka disa muaj që ky Kuvend është ballafaquar me një sfidë që nuk e ka parë më herët. Por mos harroni, që me gjithë betejat, besoj që ka qenë shkollë që i ka shërbyer demokracisë dhe emancipimit të shoqërisë”, tha Basha.
Basha, para deputetëve, duke kërkuar unifikim, përmendi heroin Skënderbeun, komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, si dhe presidentin historik, Ibrahim Rugova.
“Kemi udhërrëfyesin, Gjergj Kastriot Skënderbeun, shembullin e pavdekshëm të guximit dhe të mbrojtjes së atdheut. Kemi shembullin e udhëheqësit të urtë, presidentit historik Ibrahim Rugova, që dinte t’i bashkonte të tjerët. Ky popull u bashkua edhe rreth UÇK-së dhe komandantit të saj, Adem Jashari, për të luftuar gjenocidin fashist. Lufta e Adem Jasharit dhe e të gjithëve ishte për liri dhe për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe për të luftuar terrorin që po ushtrohej ndaj popullit tonë”, shtoi Basha.
Kush është Dimal Basha, kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës?
Dimal Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt.
Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në New York, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare.”
Dimali gjithashtu ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri,” në Universitetin “The New School University,” po ashtu në New York.
Me një përvojë të pasur profesionale, Dimali ka punuar në zyrën e ish-Kongresmenit Eliot Engel, si dhe si Analist i të Dhënave Kualitative në Gjykatën Federale të ShBA-së.
Përveç kësaj, ai ka ushtruar një karrierë të suksesshme menaxheriale në Angli dhe ShBA.
Në politikë, Dimal Basha ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate, duke përfaqësuar Lëvizjen Vetëvendosje! Ai ka qenë anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionin për Stabilizim-Asociim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



