Nga Gazeta ‘Si’- Daniel Serwer, eksperti amerikan i politikës së jashtme për Ballkanin jep një optikë mbi protestat e fundit në Serbi, raportin e Vuçiç me Moskën dhe sakaq, edhe me Europën.
Ai hedh poshtë pretendimet e presidentit serb se protestat antiqeveritare që po zgjasin prej disa muajsh në Serbi, të udhëhequra nga studentët, janë një përpjekje për një “revolucion me ngjyra” të organizuar nga jashtë.
Në një intervistë, Server deklaron se Moska do të ushtrojë presion mbi Vuçiçin që t’i shtypë protestat.
Ndërsa kur pyetet nëse ekziston rreziku i përshkallëzimit dhe ndikimit në stabilitetin rajonal, ai përgjigjet:
«Me Vuçiçin dhe rusët, gjithmonë ekziston rreziku i përshkallëzimit ose shpërqendrimit nga një incident tjetër destabilizues në Kosovë»

Më poshtë intervista e plotë:
R: Si i shihni protestat në Serbi? Si do ta përshkruanit atë që po ndodh aktualisht në vend?
Daniel: Unë i shoh protestat si një shenjë të vërtetë të pakënaqësisë popullore me performancën e qeverisë, veçanërisht me korrupsionin dhe mbrojtjen e mjedisit.
Perëndimi është i shpërqendruar dhe Vuçiç është kthyer nga lindja
R: Kur bëhet fjalë për reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, zyrtarët duken shumë më të rezervuar se media. Pse ndodh kjo?
D:Askush nuk interesohet shumë. Uashingtoni dhe Brukseli kanë përparësi të tjera.
R: A gëzon ende mbështetjen e Perëndimit dhe BE-së presidenti serb Aleksandar Vuçiç ?
D:Jo aq shumë sa në të kaluarën. Ai është kthyer shumë qartë nga Moska dhe Pekini.
Vuçiç nuk ka askënd për të fajësuar përveç vetes
R: Si e interpretoni retorikën e Vuçiçit, ndërsa ai ndryshon midis etiketimit të protestave si “terrorizëm” dhe një “revolucion me ngjyra” ?
D: Ai është i dëshpëruar dhe po kthehet te origjina e tij autokratike.
R: Vuçiç po thotë se protestat janë disi të organizuara nga jashtë. A ka ndonjë kuptim në këto akuza, kush mund të jetë potencialisht ai faktor i jashtëm duke pasur parasysh se ai ka marrëdhënie relativisht të mira me Komisionin Evropian, fuqitë e mëdha nga BE-ja, administratën Trump, si dhe me Rusinë dhe Kinën?
D:SHBA-të i kanë çmontuar institucionet e tyre që promovojnë demokracinë. Europianët po bëjnë pak për demokracinë në Ballkan jashtë procesit të pranimit. Vuçiç nuk ka askënd për të fajësuar përveç vetes.

Rusia gënjen dhe ka ndikim
R: Si e lexoni deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, e cila pretendon se forca të caktuara në Serbi, nën maskën e kërkimit të drejtësisë dhe demokracisë, po përdorin agresion të hapur, barbarizëm dhe dhunë?
D: Kjo është absurde. Nuk ka agresion apo barbarizëm dhe ka pak dhunë përveçse nga forcat qeveritare të sigurisë.
R: A mund të ndikojë Rusia në drejtimin e ngjarjeve në Serbi, dhe nëse po, si?
D:Sigurisht. Moska do të ushtrojë presion mbi Vuçiçin që të marrë masa të ashpra dhe madje të përdorë infiltrimin e saj në forcat e sigurisë për të krijuar paqëndrueshmëri.
Një vakum i pjesshëm gjeopolitik
R: A mendoni se Uashingtoni është i interesuar për zhvillimet në Serbi?
D: Jo shumë. Falsifikimi i një dokumenti duket se e ka ftohur edhe interesin e Trumpit në projektin e ndërtimit të Beogradit.
R: A ekziston rreziku që protestat në Serbi të përdoren si platformë për lojëra gjeopolitike?
D: Sigurisht që forcat gjeopolitike, veçanërisht Rusia, mund të përpiqen ta shfrytëzojnë situatën, por pakënaqësia është reale dhe bazohet në performancën e dobët të qeverisë.
R: A ekziston rreziku i përshkallëzimit të mëtejshëm dhe si mund të ndikojë kjo në stabilitetin rajonal?
Rreziqet e përshkallëzimit
D: Me Vuçiçin dhe rusët gjithmonë ekziston rreziku i përshkallëzimit ose shpërqendrimit nga një incident tjetër destabilizues në Kosovë.
R: A kanë protestat në Serbi potencialin të çojnë në ndryshime politike dhe a shihni një pasardhës të mundshëm të Vuçiçit?
D: Protestuesit nuk duket se kanë gjeneruar një alternativë të qartë politike. Ky është një problem nëse Vuçiç shpall zgjedhje të reja, të cilat do të duhet t’i fitojë me një diferencë të madhe sepse ai mashtron, duke dominuar median në periudhën parazgjedhore, duke përdorur patronazhin për të blerë vota dhe duke i transportuar votuesit me autobus kudo që i nevojiten. Serbia është një shtet gjysmë-autorokrat këto ditë. Fitimi i zgjedhjeve nuk do të jetë i lehtë për opozitën.
Vakumi i pjesshëm gjeopolitik, përsëri
R: Midis qytetarëve që kërkojnë ndryshim, ekziston një perceptim heshtjeje – përveç disa përjashtimeve – kryesisht nga BE-ja. A mund të çojë kjo në një rënie të mëtejshme të mbështetjes për anëtarësimin e Serbisë në BE?
D: Sinqerisht, nuk e di. Më duket se shumica e asaj që duan demonstruesit është në përputhje me anëtarësimin në BE.
R: Megjithatë, Perëndimi dhe BE-ja as nuk janë distancuar nga Vuçiçi dhe as nuk kanë shprehur mbështetje për protestat qytetare, siç ndodhi në disa vende të tjera evropiane. Pse ndodh kjo?
D: Pjesërisht ata janë të shpërqendruar. Pjesërisht ata kanë frikë nga alternativat. Pjesërisht ata mendojnë se protestuesit do të dështojnë. Dhe mendoj se disa prej tyre shpresojnë të mbrojnë interesat e tyre në litium ose investime të tjera, si dhe në municione për Ukrainën.
Faktori i rrezikut gjeopolitik
R: A ka frikë BE-ja se duke ushtruar presion mbi Vuçiçin, rrezikon ta shtyjë atë tërësisht drejt Rusisë – ngjashëm me qeverinë gjeorgjiane, e cila i preu lidhjet me Brukselin pasi u përball me kritika dhe mbështetje nga BE për protestuesit antiqeveritarë në atë vend?
D: Sigurisht. Por nuk ka më mundësi ta largojë Vuçiçin nga Moska dhe Pekini. Ai i ka bërë të qarta preferencat e tij.
R: Pse Vuçiç këmbëngul vazhdimisht në narrativën e një “revolucioni me ngjyra” dhe orkestrimit të huaj? A i drejtohet kjo retorikë bazës së tij votuese?
D: Po, dhe përveç kësaj ai përsërit si papagall pikat e diskutimit rus. Ai është mjeshtër i propagandës.
R: A mund të tërhiqen paralele me Bjellorusinë, në kuptimin që Aleksandër Lukashenko gradualisht e intensifikoi represionin, duke kulmuar pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020? A mund të arrijë Vuçiç në një pikë pa kthim – ku një transferim paqësor i pushtetit pas humbjes përfundimtare zgjedhore nuk është më i mundur?
D: A jeni e sigurt se nuk jemi tashmë në pikën pa kthim?
Rezultati është i pasigurt
R: Protestat në Serbi kanë hyrë në muajin e tyre të dhjetë. A janë ato unike në ndonjë mënyrë dhe a mund të krahasohen me ndonjë periudhë apo vend të mëparshëm?
D:Serbia ka përjetuar shumë protesta: revolucionin antiburokratik, protestat e Zajednos, protestat që rrëzuan Millosheviçin, protestat anti-LGBTQ, protestat më të fundit kundër dhunës dhe mjedisit. Çdo episod është unik dhe rezultatet mjaft të ndryshme.
Por asnjëra nuk ka arritur ta vendosë Serbinë në një rrugë të pakthyeshme drejt demokracisë liberale dhe anëtarësimit në BE. U uroj protestuesve gjithë të mirat, por ata kanë përballë një kundërshtar të frikshëm dhe shumë histori.
Intervista është shkëputur nga Peacefare.net/ Përshtati Gazeta Si
Shënim: Daniel Serwer është një Bashkëpunëtor i Lartë në Institutin e Politikës së Jashtme të Shkollës Johns Hopkins për Studime të Avancuara Ndërkombëtare dhe njohës i mirë i Ballkanit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



