Menaxhim

Sigurimi i detyrueshëm, Dhoma Amerikane e Tregtisë: Ndëshkon shtresat në nevojë. Drafti i paqartë!

Nga Gazeta ‘SI’ – Dhoma Amerikane e Tregtisë i ka kërkuar Ministrisë së Financave të rishikojë draftin e sigurimit të detyrueshëm të banesave me shqetësime mbi transparencën dhe trajtimin e shtresave në nevojë.

AmCHam thotë se ndalimi i shërbimeve publike për ata që nuk bëjnë sigurimin e detyrueshëm do të ndëshkojë fort familjet e varfëra dhe sugjeron përjashtime ose lehtësira për pensionistët dhe familjet me ndihmë ekonomike.

Krijimi i Fondit për Tërmetet, ku do të shkojnë paratë e sigurimeve, shikohet me optimizëm nga shoqata e bizneseve, por ngre shqetësimin se Ministria e Financave ka fuqi të tepruara mbi emërimet dhe mbikëqyrjen, duke vënë në dyshim pavarësinë e tij.

Dhoma Amerikane thekson se drafti përkufizon qartë banesat dhe seksionet e brendshme, por lë paqartësi për ndërtesat me përdorim të përzier apo për ato që janë vetëm pjesërisht rezidenciale.

Gjithashtu, drafti parashikon që dëmshpërblimet të jepen pas 3 muajsh nga aplikimi i qytetarit, por sipas Dhomës, nuk sqarohet çfarë ndodh në rast vonese apo refuzimi. Ankimi para një komisioni ad-hoc nuk është i detajuar, ndërsa përfshirja e ndërmjetësimit apo arbitrazhit do të siguronte më shumë besim.

Një tjetër vërejtje lidhet me krijimin e regjistrit të sigurimit dhe shkëmbimin e të dhënave mes institucioneve, ku sipas Dhomës, nuk është parashikuar qartë përputhshmëria me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Po ashtu, drafti trajton si sigurimin e detyrueshëm ashtu edhe atë vullnetar, por mungon koordinimi mes tyre dhe renditja e pagesave, duke lënë hapësira për konfuzion.

Dhoma Amerikane kërkon që këto problematika të adresohen para miratimit, në mënyrë që ligji të garantojë qartësi, pavarësi institucionale dhe mbrojtje reale të qytetarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë