Gazeta Si – Një laborator për kultivimin e drogës, është zbuluar brenda një banese në Yzberisht, ku përgatitej lënda narkotike dhe përpunohej në trajta dhe forma të ndryshme për shitje.
Në pranga është vënë pronari i banesës, 61-vjeçari Shkëlqim Krrashi nga Bulqiza, si personi që siguronte sasi të mëdha kanabisi e kokaine dhe i shiste në Yzberisht.

Sipas policisë, brenda banesës u gjetën dhe sekuestruan rreth 17 kg kanabis në formë çokollate, e cila ishte e ndarë në në 69 paketime dhe 22.5 litra vaj kanabisi që arrinin në vlerën rreth 500 mijë euro.
U sekuestruan gjithashtu edhe rreth 65 gramë kokaine si edhe dy armë zjarri, një pistoletë dhe një armë gjahu.
Mësohet se 61-vjeçari, i cili nuk rezulton me precedent penalë, e siguronte drogën dhe vajin në Maqedoninë e Veriut. Kokainën e shiste në doza të vogla, ndërsa për kanabisin dhe vajin e shiste me shumicë.
Sipas burimeve paraprake, 6 muaj më parë agjentët e policisë morën informacion se Krrashi shiste kokainë në këtë zonë, në doza të vogla. Por pasi u mbajt nën vëzhgim për muaj të terë, u zbulua baza e përpunimit të lëndës narkotike.
Ai nuk ka deklaruar persona të tjerë me të cilët mund të ketë bashkëpunuar. Por policia është ende duke vijuar hetimet për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


