Gazeta Si – Një oficer i policisë gjyqësore në Sarandë, është pezulluar pasi dyshohet se fshehu prova për dosjen e trafikimit të armëve tip “Glock”, me qëllim shitjen e tyre.
Sipas Prokurorisë, OPGJ-ja me inicialet J.P., dyshohet të ketë fshehur të dhëna hetimore me rëndësi për hetimin që ishin përftuar nga një celular.
Bëhet fjalë për një ngjarje të shtatorit 2024, kur u arrestua zjarrfikësi i Këlcyrës, Klaudio Osmani, 23 vjeç dhe shoku i tij, Mehmet Canaj 24 vjeç, me 10 armë të cilat do t’i trafikonin në Sarandë dhe do të shiteshin në këtë qytet bregdetar. Por porositësi i armëve nuk dihet.
Hetimet kanë zbuluar se J.P., dyshohet se ka mbajtur të fshehura të dhëna të përftuara nga këqyrja e një telefoni celular të sekuestruar, që ishte provë në një tjetër procedim penal.
Prokuroria kërkoi që ndaj oficerit të vendosej masa e sigurisë “arrest me burg”, por Gjykata e Sarandës caktoi masën “pezullim nga detyra”, duke i ndaluar ushtrimin e funksionit në Policinë e Shtetit deri në përfundim të hetimeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



