Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka shpallur sot moskompetencë për kërkesën e bërë nga ish-presidenti Ilir Meta për lirimin nga qelia.
Shkak për këtë, është bërë kërkesa e avokatëve të Metës, të cilët kanë kërkuar që të përballen me gjyqtarin Erjon Çela, i cili e ka ndjekur çështjen dhe jo me gjyqtarin e gatshëm Erjon Bani.
Në këto kushte, seanca është shtyrë dhe mund të zhvillohet javën e ardhshme. “Nuk mundet që një gjyqtar tjetër të futet në çështje që nuk e ka shqyrtuar. Duke qenë se kërkesa duhet shqyrtuar brenda 15 ditëve dhe prandaj e mori përsipër Erjon Bani. Por ne nuk mund ta lejonim këtë jo se kemi gjë me Banin, por sepse duam të përballemi me gjyqtarin që e ka ndjekur çështjen”, – tha Cakrani.
“Jemi në pritje, kur të kthehet nga pushtimet zoti Çela do zhvillojmë seancën siç e parashikon ligji procedural dhe ligji i Gjykatëqs së Lartë”, vijoi Cakrani.
Kërkesa u paraqit nga avokatët e Metës më 6 gusht, ku sipas këtyre të fundit tashmë nuk ekziston më mundësia që Ilir Meta mund të prishë provat, për shkak se hetimi është mbyllur dhe dosja ka kaluar për gjykim.
Po kështu, në kërkesën e tij për lehtësim të masës së Metës, avokati propozoi që ish-presidentit t’i bllokohet pasaporta në mënyrë që të mos ketë mundësi të dalë nga Shqipëria.
SPAK i njoftoi mbylljen e hetimeve dhe akuzat ish-presidentit Ilir Meta për dosjen CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion.
Ish-Presidenti u arrestua më 21 Tetor 2024 dhe që prej atij momenti qëndron në paraburgim me masë “arresti në burg”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


