Rend dhe Ligj

Humbi jetën në burg/ Reagon KSHH: U mbajt 8 ditë i sëmurë në qeli, duhej të mjekohej urgjent

Gazeta Si – Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka reaguar pas vdekjes së Besnik Koçiut, një i paraburgosur 57-vjeçar që ndërroi jetë më 24 korrik 2025 në Institutin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) “Jordan Misja”, vetëm tetë ditë pas futjes në paraburgim.

Në një komunikatë për mediat, organizata ngre pikëpyetje lidhur rastin e Koçiut, për sa i përket trajtimit mjekësor të personave të privuar nga liria.

Besnik Koçiu ishte pranuar në IEVP më 16 korrik dhe që në momentin e parë kishte raportuar diagnoza të rënda dhe të njohura mjekësisht si: diabet tip 2 (nën insulinë), hipertension i avancuar, dislipidemi dhe një goditje në tru e kaluar vetëm gjashtë muaj më parë.

Pavarësisht këtyre kushteve, ai nuk u dërgua në një strukturë spitalore, por u mbajt në kushte paraburgimi të zakonshme.

KShH thekson se ankesa për gjendjen shëndetësore ishin “të përsëritura dhe të dokumentuara”. 

Në njoftim, Komiteti i Helsinkit shkruan se “rezulton se gjatë ditëve të para të akomodimit të tij (sipas shënimit të Kartelës Mjekësore, të datës 18.07.2025), shtetasi B.K., kishte paraqitur ankesa për dhimbje koke, dobësi trupore dhe djegie.

KSHH thotë se mbrëmjen e 23 korrikut, në orën 20:45, në librin e aktivitetit të institucionit është shënuar se Kociu nuk ndihej mirë. Ndihmës mjekja i kishte matur vetëm tensionin në dy raste, por nuk rezulton të jetë ndërmarrë asnjë hap tjetër mjekësor gjatë gjithë natës për rreth 9 orë.

Vetëm mëngjesin e datës 24 korrik, rreth orës 07:00, punonjësit e turnit të parë konstatuan se i paraburgosuri nuk reagonte.

Ai u transportua menjëherë drejt urgjencës së QSUT-së, por aty mjekët konstatuan se kishte ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak.

Megjithatë, reagimet institucionale kanë qenë të pamjaftueshme dhe, sipas monitorimit të realizuar nga vetë organizata, mungon dokumentacioni që të tregojë ndonjë veprim konkret për mbikëqyrjen e specializuar të tij.

Organizata ngre pikëpyetje lidhur me shkeljen e të drejtave dhe neglizhencë sistemike, ndërsa bën gjithashtu thirrje për hetim.

51-vjeçari ishte në hetim për veprën penale “Armëmbajtje pa leje dhe prodhim i armëve”. Ai ishte arrestuar më 13 korrik për plagosjen me armë zjarri të një 34-vjeçari në një lokal në Valias.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë