Gazeta Si – Gjykata e Tiranës ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Flodian Plakun, 42-vjeçarin e akuzuar për vrasjen e Gentian Bejtjas, i cili njihet edhe me mbiemrat Mamo dhe Serjani.
Para trupit gjykues, ai ka mohuar çdo përfshirje në krim, duke deklaruar se lidhja e vetme me ngjarjen mund të jetë një automjet Golf që kishte përdorur dhjetë ditë para vrasjes.
Dy ditë pas arrestimit të tij në Orikum, i njohur edhe me nofkën “Pole Qorri”, Plaku thotë se shkak për arrestimin e tij është bërë përdorimi i një mjeti tip “Golf” para 10 ditësh.
“Nuk kam lidhje me ngjarjen, kam përdorur një mjet tip ‘Golf’ para 10 ditësh prandaj erdhi policia tek unë”, – deklaroi 42-vjeçari në gjykatë.
Ai u përfaqësua nga avokati Edvis Gorishti, i cili kërkoi një masë më të butë sigurie për të dyshuarin, gjë që iu refuzua nga trupa gjykuese.
Hetimet për zbardhjen e plotë të vrasjes vijojnë, ndërsa Prokuroria e Tiranës e konsideron atë si një nga personat kyç të dyshuar për krimin.
Flodian Plaku u arrestua dy ditë më parë në një hotel në Orikum ku ai ishte strehuar prej disa kohësh. Në momentin e arrestimit atij i janë gjetur 25 mijë euro cash dhe shtatë celularë, gjithashtu edhe dy armë zjarri.
Gjatë operacionit policor u arrestuan edhe 4 persona të tjerë si të dyshuar për ndihmë ndaj tij dhe përfshirje në ngjarje të tjera kriminale.
Flodian Plaku dyshohet si një ndër tre autorët që kanë hapur zjarr me breshëri ndaj ish-policit që ishte kthyer në personazh të botës së krimit.
Më 14 mars 2024, dyshohet se ata qëlluan me breshëri plumbash automatiku kundrejt Bejtjas, i cili ndodhej në oborrin e banesës së tij në Larushk të Fushë Krujës.
Dyshohet se vrasja ka motive hakmarrje si pasojë e luftës për hakmarrje mes grupeve të Ervis Martinajt, Indrit Dokles dhe Durim Bamit.
Pak ditë pas vrasjes, u arrestuan Ilir Beqaraj dhe Edison Haxhiu, të dy të dyshuar për atentatin mafioz. Dosja për vrasjen e Bejtjas kaloi për gjykim më 9 mars të këtij viti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



