Drejtësia

Vrasja e Anesti Ramës nga e bija, Prokuroria e Fierit: Kishte çarje në fytyrë!

Nga Gazeta ‘Si’– Prokuroria e Fierit ka dhënë detaje nga vrasja e 56-vjeçarit Anesti Rama, që dyshohet se u dhunua dhe u mbyt me tel nga vajza e tij Emalinda Rama dhe Çlirim Dogani, me të cilin e reja dyshohet se kishte një lidhje intime.

Sipas prokurorisë, mbrëmjen e 23 Korrikut, rreth orës 21:16 në Sallën Operative Fier, ka mbërritur një telefonatë ku kërkohej dërgimi i ambulancës, pasi një shtetas ishte dëmtuar në ambientet e tualetit të banesës së tij të ndodhur në fshatin Frashër.

Kur ambulanca ka mbërritur në shtëpinë e viktimës, Prokuroria thotë se trupi i pajetë i 56-vjeçarit ishte në sallon, dhe bashkëshortja dhe e bija e tij e kishin veshur me kostum dhe këmishë.

Në momentin kur grupi hetimor ka mbërritur në vendngjarje kanë konstatuar në trupin e 56-vjeçarit çarje në pjesën ballore, mbi vetull, si dhe dëmtime të tjera.

Vajza e viktimës dhe bashkëshortja e tij, Valbona Rama kanë deklaruar para grupit hetimor se e kishin gjetur të ndjerin në tualetin e banesës pa shenja jete dhe të gjakosur.

Ato kishin njoftuar fqinjët se 56-vjeçari ishte rrëzuar në tualet dhe në vijim ishte njoftuar ambulanca dhe policia.

“Ato e kanë lëvizur të ndjerin nga tualeti, e kanë pastruar dhe veshur, me qëllim kryerjen e riteve mortore, si dhe kanë pastruar vendin e ngjarjes”, sqaroi Prokuroria.

Pas veprimeve hetimore, u bë arrestimi i Emalinda Ramës, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim, nënës së saj Valbona Ramës, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, si edhe 56-vjeçarit Çlirim Dogani, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë