Gazeta Si – Prokurorja e Tiranës, Eranda Laze, është shkarkuar nga detyra pas vendimit përfundimtar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA), i cili u shpall këtë të martë, më 29 korrik në Tiranë.
Vendimi vjen pas shqyrtimit të ankimit të bërë nga Komisioneri Publik ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), i cili më herët e kishte konfirmuar në detyrë prokuroren.
Sipas vendimit të shpallur më 29 korrik, Kolegji çmoi të bazuara shumicën e shkaqeve të ankimit, përfshirë pamundësinë e provimit të burimeve të ligjshme financiare për blerjen e një apartamenti në vlerë 40 mijë euro dhe të këstit të fundit të një apartamenti tjetër.
U konstatua se as Laze dhe as bashkëshorti i saj nuk arritën të justifikojnë burimin e ligjshëm të të ardhurave, përfshirë edhe ato të ardhura që ky i fundit deklaronte nga avokatia, të cilat nuk ishin shoqëruar me dokumentacion tatimor të rregullt.
Trupi gjykues i KPA-së që mori vendimin ishte i përbërë nga Ina Rama (kryesuese), Sokol Çomo (relator), si dhe Albana Shtylla, Mimoza Tasi dhe Natasha Mulaj (anëtare). Në përfundim ata vendosën unanimisht të ndryshojnë vendimin e mëparshëm të KPK-së, duke sanksionuar shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të prokurores Laze.
Sipas njoftimit zyrtar, ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm, duke mbyllur përfundimisht procesin e rivlerësimit për këtë subjekt.
Shkarkimi i Lazes vjen në kuadër të procesit të vetingut, pjesë e reformës në drejtësi, që ka për qëllim pastrimin dhe ristrukturimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial në vend, përmes rivlerësimit të figurës, pasurisë dhe profesionalizmit të zyrtarëve të drejtësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



