Nga Gazeta ‘Si’– Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kaluar për gjykim dosjen ‘Revanshi’, ku të pandehur janë marrë Emiliano Shullazi, Astrit Avdyli, Leonard Duka e Gjergji Cukali.
Vendimi është marrë në seancën paraprake të datës 28 korrik 2025, me trup gjykues të kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela.
Në total janë 14 të pandehur, ndër ta Enver Dida, Besian Xhixha, Robert Laçi, Drianto Bardhi, Miri Bruli, Xhelal Rraja, Viktor Imeraj, Satilno Basho, Naim Stafuka, Blerim Abazi.
Ata akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë: sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale, mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve, ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, futje e sendeve të ndaluara në burgje, goditje ndaj pjesëtarëve të familjes së personave me detyrë shtetërore.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, grupi kishte shtrirje dhe aktivitet kriminal të organizuar dhe të ndërlidhur, me planifikime për vrasje të disa shtetasve, ndërhyrje në sistemin penitenciar dhe aktivitet të paligjshëm me armë, drogë dhe trafik ndërkufitar.
Gjykata urdhëroi gjithashtu formimin e fashikullit të gjykimit dhe depozitimin e vendimit në sekretarinë e gjykatës brenda 10 ditëve, si dhe bëri me dije se vendimi nuk i nënshtrohet ankimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



