Drejtësia

SPAK mbyll hetimet për dosjen ‘Meta’, nis komunikimi i akuzave për të pandehurit

Gazeta Si – Nëntë muaj pas arrestimit, SPAK ka mbyllur hetimet për dosjen e ish-presidentit Ilir Meta, ku janë marrë të pandehur për aferën CEZ-DIA dhe lobimin e LSI në SHBA, edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi dhe nëna e saj, Fatime Kryemadhi, ndaj të cilës nuk ka pasur masë sigurie.

Fatime Kryemadhi është paraqitur këtë të hënë në SPAK për t’u njohur me akuzën, bashkë me mikeshën e Monika Kryemadhit, Ema Çokun, si edhe ish-kreun e AKEP, Pirro Xhixho. Ky i fundit është hetuar për korrupsion pasiv, ndërsa Çoku për pastrim parash.

Ish-presidenti akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie në lidhje me çështjet CEZ-DIA, lobimin e ish-LSI në SHBA dhe shpenzimet e familjes së tij.

Vetë Meta dhe Kryemadhi u morën të pandehur më datë 29 maj, ku iu komunikuan akuzat e “korrupsionit”, “pastrimit të parave” dhe “fshehjes së pasurisë”.

Nesër, të martën 29 korrik, në orën 13:00, Monika Kryemadhi do të jetë në dyert e SPAK vetëm për t’u njohur me mbylljen e hetimeve.

Për ish-presidentin Meta nuk dihet ende kur do t’i komunikohet mbyllja e hetimeve. Avokati i tij, Kujtim Cakrani, deri më tani nuk ka dijeni dhe njoftim nga SPAK.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë