Drejtësia

Si u zhdukën nga arka 40 mln lekë nga 4 zyrtarët, skema e abuzimit në Bashkinë e Fierit

Gazeta Si – Një aferë me vlerë prej 40.9 milionë lekësh, ku rezulton se janë kryer një sërë veprimesh të paligjshme me shmangie taksash, ka çuar në vënien nën hetim nga Prokuroria e Fierit 4 zyrtarë të kësaj bashkie, mes tyre dhe ish-nënkryetarja, Adela Hysenaj.

Sipas Prokurorisë, funksionarët nuk kanë lejuar që të arkëtohen të ardhurat për parkimin nëntokësor (që administrohet nga bashkia), duke mos vendosur kasën e fiskalizimit.

Po ashtu, ata kanë favorizuar subjekte tregtare përmes uljes së paligjshme të taksave, në këmbim të përfitimeve personale. Bëhet fjalë për dy drejtoresha në bashki, një drejtor të Kontrollit Tatimor dhe Sekretarin e Përgjithshëm të bashkisë Fier.

Personi nën hetim Adela Hysenaj, me detyrë Drejtoreshë e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Urbanistikës në Bashkinë Fier, duke shfrytëzuar pozicionin e saj, në pesë episode, ka ushtruar ndikim të paligjshëm tek Drejtoresha e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore të Bashkisë Fier, me qëllim që kjo e fundit të lëshonte vërtetime për pagesën e detyrimeve dhe përllogaritje të taksave e tarifave vendore nën vlerën e përcaktuar.

Gjithashtu, Hysenaj nuk ka marrë masat e nevojshme për vendosjen e pajisjes fiskale në parkimet e Bashkisë Fier dhe si pasojë e mosveprimeve të saj, vlera e të ardhurave të krijuara për të cilat nuk është paguar asnjë tatim është 40.912.640 lekë dhe detyrimi tatimor i shmangur është i lartë.

Personi nën hetim Anisa Cjapi me detyrë Drejtore e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, ka lëshuar fatura të taksave dhe tarifave mbi vlerën reale, për subjekte të caktuara, vlera e të cilave ka ndryshuar pas ankesës së subjekteve, në disa raste duke u ulur tej parashikimeve të vendimeve të Këshilli Bashkiak Fier.

Po ashtu, në funksion të detyrës, Cjapi nuk ka marrë asnjë masë në lidhje me fiskalizimin e pikave të parkimit të mjeteve të cilat janë në administrimin e Bashkisë.

Personi nën hetim Martin Dodi me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Fier, ka ushtruar ndikim të paligjshëm tek personi nën hetim Cjapi, me detyrë Drejtore e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për t’i ulur vlerën e detyrimeve që do të paguante më pas shtetasi A.M. subjekt privat.

Personi nën hetim Vasil Ceku me detyrë Drejtor i Drejtorisë Vendore të Kontrollit Tatimor Rajoni Jugor, me një urdhërin të nxjerrë prej tij në muajin maj të vitit 2024 ka detyruar inspektorët tatimorë të kryejnë kontroll në një subjekt tregtar, pa pasur më parë një urdhër pune nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Pas kryerjes së kontrollit, Ceku nuk ka kryer procedurën ligjore për të kërkuar rikontroll në Drejtorinë e Përgjithshme. Rezulton gjithashtu se nga ana e personit nën hetim nuk është mbikëqyrur fushata sensibilizuese, pasi nuk është kontrolluar asnjë subjekt tjetër. Procedura e ndjekur në kontrollin e vitit 2024 bie ndesh me procedurën e ndjekur në vitin 2025.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë