Drejtësia

Vrau vëllain dhe kunatën, Prokuroria Tiranë kërkon burg përjetë për Arsen Muskurtin

Nga Gazeta Si- Prokuroria e Tiranës ka kërkuar burgim të përjetshëm për Arsen Muskurtin, i cili vrau vëllain e të tij Dritan Muskurti dhe kunatën, Nora Muskurti në 30 gusht 2022, pas konflikteve të përsëritura.

Në mesditë, Arsen Muskurti hyri brenda agjencisë turistike “Nour Tours” dhe qëlloi për vdekje me armë të vëllanë dhe kunatën e tij.

Sipas Prokurorisë, i pyetur për ngjarjen, Arsen Muskurti është shprehur se drejt vrasjes e çuan problematikat e vazhdueshme me të vëllain, të cilin e akuzoi se shantazhonte atë dhe prindërit prej kohësh.

Debatet dhe konfliktet midis tyre kanë vazhduar për një kohë të gjatë dhe nuk janë zgjidhur edhe pse i ishin drejtuar gjykatës.

Në dëshminë e dhënë para hetuesve asokohe, ai tregoi se krimin e rëndë e kishte kryer pasi kishte marrë një fletë-thirrje nga Gjykata Civile e Tiranës e cila do të shqyrtonte një kërkesë për urdhër-mbrojtje që kishte bërë vëllai i tij.

Ndërkohë, konfliktet mes tyre kishin nisur që prej vitit 2016 për bizneset, teksa viktima, i vëllai, i kërkonte në Gjykatë edhe kthimin e një borxhi, për të cilin Arsen Muskurti nuk pranonte se ia kishte.

Pasi ka vrarë vëllain dhe kunatën, Meskurti ka shkuar parë dyqanit të tij, që ishte afër me vendin e ngjarjes, ka lënë armën në kasafortë dhe më pas tentoi të arratisej, ndërsa u kap 2 orë më pas, në prani të bashkëshortes së tij dhe të një prej fëmijëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë