Drejtësia

Inceneratori i Tiranës, Apeli kthen për rigjykim çështjen ndaj ish-deputetit Alqi Bllako

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka prishur këtë të mërkurë, më 23 korrik, vendimin e Shkallës së Parë për ish-deputetin e Partisë Socialiste, Alqi Bllako dhe e ktheu çështjen e tij për rigjykim.

Bllako ishte dënuar në 11 mars të këtij viti në Shkallën e Parë me katër vite burg lidhur me inceneratorin e Tiranës, dënim ky që zbriste në dy vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar, pasi u shpall fajtor për akuzën e korrupsionit në dy raste. Bllako e pati ankimuar vendimin dhe kërkonte nga Apeli lirinë.

Lidhur me çështjen e inceneratorit të Tiranës, Bllako dyshohet se ka përfituar 119 mijë euro në mënyrë të parregullt. Sipas SPAK, këto para i ka përfituar në dy raste pagesash.

Rasti i parë ka të bëjë me blerjen e një pajisjeje për biznesin e babait të tij, ndërsa rasti i dytë ka të bëjë me një pagesë që ka kërkuar për një punonjës të Ministrisë së Mjedisit, në mënyrë që të vijonte punën dhe të ndihmonte në procedurat koncesionare.

Ish-deputeti socialist është dënuar më herët me vendim të formës së prerë edhe për inceneratorin e Elbasanit me 2 vite e 8 muaj burg, ndërsa për inceneratorin e Fierit çështja është rikthyer për rigjykim nga Apeli në shkallë të Parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë