Gazeta Si – Pritet të ekstradohet këtë të mërkurë në Shqipëri, Denis Bajri (Bajroviç) njëri prej anëtarëve të fisit Bajri që ishte shpallur në kërkim për vrasje e grup kriminal.
37 vjeçari ishte arrestuar në Dubai që më 27 shkurt të vitit 2024 në pritje të ekstradimit që do të kryhet ditën e sotme duke shënuar kështu një tjetër rast të thyerjes së “mitit të paprekshmërisë” së kriminelëve që strehohen në Dubai.
Ndaj Bajrit rëndon akuza e vrasjes së Gjin Boriçit, ngjarje e ndodhur në 9 gusht 2020 në Vaun e Dejës me porosi të dhënë nga Behar Bajri, ndërsa kërkesa ishte bërë nga biznesmeni i zhdukur Ervis Martinaj. Roli i 37-vjeçarit në këtë ngjarje u zbulua pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin SKY ECC, nga ku rezultoi se porositës i vrasjes së Boriçit ishte Ervis Martinaj.
Ky i fundit, përmes biznesmenit Pëllumb Gjoka, i kishte kërkuar Behar Bajrit, gjithashtu i arrestuar në operacionin ‘Metamorfoza’, të ekzekutonte Gjin Boriçin.
Behar Bajri, i cili rezulton të ketë pasur marrëdhënie shoqërore me Boriçin, sipas SPAK ia dha porosinë Denis Bajroviçit për të finalizuar ekzekutimin.
Në biseda thuhet se Bajroviç shkoi edhe në varrimin e mikut të tij për të hequr dyshimet.
Në këmbim të eliminimit të Boriçit, SPAK thotë se Ervis Martinaj do të realizonte vrasjen e Kleant Musabelliut, ngjarje kjo që nuk u krye.
Për ekzekutimin e Musabelliut ishte i interesuar biznesmeni Gjoka, për shkak të një përplasjeje që kishin pasur në 2017-ën.
“Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal”- thuhet në njoftimin e policisë.
Më herët, me kërkesë të SPAK, në vitin 2023 u ekstradua nga Franca, Behar Bajri, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për një sërë veprash të rënda penale.
Ai rezulton i përfshirë edhe në dosjen “Metamorfoza” ku përmenden emra të kriminelëve të tjerë të rrezikshëm, biznesmenëve e deri tek zyrtarë policie që aktualisht janë nën masë arresti.
Më 21 shkurt të këtij viti, me urdhër të SPAK u arrestua Safet Bajri i njohur si “i forti i Shkodrës”. Ndaj tij rëndojnë akuzat për vrasje dhe grup të strukturuar kriminal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



